Përleshje ndërsa policia bllokon protestat në Tunizi kundër referendumit të korrikut

Policia bllokoi protestuesit që marshonin drejt selisë së bordit zgjedhor, shefin e të cilit e zëvendësoi së fundmi presidenti Kais Saied.

Përleshjet kanë shpërthyer midis policisë tuniziane dhe demonstruesve kundër presidentit Kais Saied, ndërsa rreth 100 njerëz protestuan kundër një referendumi të planifikuar për në korrik – një vit pasi Saied organizoi atë që kritikët e quajnë grusht shtet.

Policia bllokoi protestuesit ndërsa ata marshuan të shtunën drejt selisë së bordit zgjedhor, shefin e të cilit Saied e zëvendësoi muajin e kaluar në një lëvizje të mëtejshme për të zgjeruar kontrollin e tij mbi institucionet shtetërore.

Në protestën në kryeqytetin Tunizian, të organizuar nga pesë parti të vogla politike, disa demonstrues mbanin pankarta që shkruanin, “Komisioni i presidentit = komisioni i mashtrimit”.

Më 25 korrik 2021, Saied shkarkoi qeverinë dhe pezulloi parlamentin, të cilin më vonë e shpërndau në lëvizje që ngjallën frikë për demokracinë e vetme që doli nga kryengritjet e Pranverës Arabe.

Ai parashtroi planet për një referendum që do të zhvillohet muajin e ardhshëm mbi zëvendësimin e kushtetutës së 2014-ës, e cila kishte sanksionuar një sistem të përzier parlamentar-presidencial të rrënuar shpesh nga ngërçi dhe nepotizmi.

Rashid Ghanouchi, kryetari i parlamentit të shpërbërë, bëri thirrje në deklaratë që “forcat kombëtare, partitë, shoqëria civile, të qëndrojnë pranë gjyqtarëve në rezistencën ndaj diktaturës brutale për të ruajtur një gjyqësor të pavarur”.

Me ekonominë e Tunizisë në rënie dhe me financat publike në krizë, Saied përballet me perspektivën e rritjes së zemërimit popullor për inflacionin e lartë dhe papunësinë, dhe rënien e shërbimeve publike. /mesazhi