Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Përmbytje të përhapura në Santarem të Portugalisë për shkak të stuhisë Leonardo

Përmbytje të përhapura në Santarem të Portugalisë për shkak të stuhisë Leonardo

Pamjet me dron tregojnë përmbytje të përhapura në disa zona në Santarem të Portugalisë qendrore, pasi stuhia Leonardo solli reshje të dendura shiu në rajon, duke përmbytur rrugë dhe toka bujqësore përreth, raporton Anadolu.

Stuhia ka përfshirë Gadishullin Iberik, duke shkaktuar përmbytje, rrëshqitje dheu dhe ndërprerje të mëdha në Portugali dhe Spanjë, duke lënë të paktën një person të vdekur dhe duke detyruar mijëra njerëz të evakuohen.

Autoritetet portugeze shpallën alarm të kuq për pellgun e lumit Tagus në rrethin Santarem, ndërsa Mbrojtja Civile paralajmëroi evakuimin e zonave pranë lumit, pasi prurjet e tij janë dyfishuar ditëve të fundit.

Në jug të Portugalisë, përmbytjet janë përkeqësuar, me 93 persona të shpëtuar deri më tani dhe një 70-vjeçar që humbi jetën pasi makina e tij u rrëmbye nga uji.

Stuhia Leonardo gjithashtu shkaktoi dëme të mëdha në Andalusi të Spanjës, ku u urdhërua evakuimi i plotë i fshatit Gazalema pas reshjeve ekstreme. Transporti është ndërprerë gjerësisht, mbi 150 rrugë janë mbyllur dhe fluturime janë anuluar. Më shumë se 4 mijë persona janë evakuuar, ndërsa shërbimet e emergjencës vazhdojnë kërkimet për një grua të zhdukur.

Meteorologët paralajmërojnë se reshjet e dendura dhe erërat e forta pritet të vazhdojnë në ditët në vijim.