Në Romë janë shënuar përplasje mes protestuesve pro-palestinezë dhe forcave të policisë gjatë një marshimi të madh që kërkonte përfundimin e luftës në Gaza, të shtunën më 4 tetor 2025.
Sipas agjencisë Reuters, mbi 250 mijë persona morën pjesë në protestë, ndërsa organizatorët pretendojnë se numri arriti në mbi një milion. Marshimi kaloi pranë Koloseut dhe përfundoi në sheshin Piazza San Giovanni.
Pjesa më e madhe e demonstratës ishte paqësore, por në fund një grup i vogël protestuesish u përplas me policinë pranë Bazilikës Santa Maria Maggiore. Forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën, ndërsa disa makina dhe kosha plehrash u dogjën.
Policia arrestoi 12 persona dhe identifikoi mbi 260 pjesëmarrës. Protestat në Itali po zhvillohen prej katër ditësh me radhë, pas ndalimit nga Izraeli të flotiljes humanitare “Global Sumud” që kishte si destinacion Gazën. /mesazhi







