Përurohet qendra tregtare “Lux Mall” në Mitrovicë (FOTO)

Në Mitrovicë është bërë hapja e qendrës tregtare “Lux Mall” ku do të jenë të pranishme 30 brende të njohura evropiane.

Nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, ka thënë se ndihet i nderuar dhe i privilegjuar që ndodhet në inaugurimin dhe përurimin e një qendre tregtare të madhe si “Lux Mall” e cila ka qenë mjaft e nevojshme për qytetin e Mitrovicës, njofton Klan Kosova.

“Me siguri që ky investim i madh është realizim i ëndrrës së familjes Bashota, por realizim edhe i komunës së Mitrovicës, sepse në këtë mënyrë po nxisim zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës”.

“Mitrovica është një qytet i sigurt ku ja vlen të investohet, dhe me siguri që kjo qendër tregtare është një vlerë e shtuar për qytetin tonë, në këtë mënyrë po e rikthejmë Mitrovicën e mëhershme e cila ka qenë çdoherë qendër e bizneseve, e arsimit, e sportit, e muzikës”.

“Këto të mira të komunës dhe të afaristëve kërkoj që ti shfrytëzojnë edhe banorët e veriut sepse ata janë të barabartë dhe duhet të kryejnë shërbimet në të gjithë qytetin e Mitrovicës”.

Muja gjithashtu ka theksuar se në seancën e Kuvendit Komunal është miratuar një draft- rregullore e cila ka për qëllim të liroj të gjitha bizneset e vogla në Mitrovicë ndaj taksave komunale, në mënyrë që të depërtojnë më lehtë dhe të zhvillohen më tutje.

Ndërsa pronari i Qendrës Tregtare “Lux Mall”, Faik Bashota, ka falënderuar nënkryetarin Faruk Mujka, si dhe pjesëmarrësit tjerë të cilët kanë marrë pjesë në funksionalizimin e plotë të qendrës së parë tregtare në qytetin e Mitrovicës.

“Duke e parë mungesën e një qendre të tillë në qytetin e Mitrovicës, e kemi parë të arsyeshme që ne të investojmë edhe këtu dhe mitrovicasit të kenë mundësi të kryejnë shërbimet në vendin e tyre pa pasur nevojë që të orientohen tek qytetet tjera”, ka thënë Bashota.