Pesë të vdekur e 103 të infektuar me COVID-19 në Maqedoni të Veriut

Pesë pacientë me COVID-19 kanë vdekur në 24 orët e fundit në Maqedoni të Veriut.

Këtë e ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut të hënën në mesditë. Më i vjetri prej pacientëve që kanë vdekur është 80-vjeçar, ndërsa më i riu 45-vjeçar. Të vdekurit të tjerë ishin të moshës 74-vjeçare, 73-vjeçare dhe 65-vjeçare.

Në Maqedoni të Veriut vazhdon të jetë shumë i lartë numri i rasteve të reja. Të hënën është raportuar për 103 raste të reja me COVID-19, kurse janë testuar 841 persona. Në Shkup janë 46 raste të reja, kurse në Tetovë 17 raste.

Janë shëruar 13 pacientë, prej tyre dhjetë në Shkup.

Numri i të prekurve nga koronavirusi në Maqedoni të Veriut ka shkuar në 4157. Janë shëruar 1723, kanë vdekur 193, kurse raste aktive janë 2241.