Policia e Kosovës ka publikuar detaje të reja lidhur me plagosjen e katërfishtë që ndodhi të enjten në qendër të Podujevës, ku mbetën të plagosur tre persona të përfshirë në konflikt dhe një kalimtar i rastit.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, në vendin e ngjarjes janë sekuestruar tri armë zjarri dhe 28 gëzhoja plumbash.
“Ka ndodhur një rast gjuajtjeje me armë zjarri ku kanë mbetur të plagosur tre të dyshuar meshkuj kosovarë dhe një viktimë mashkull kosovar (kalimtar i rastit), të cilët kanë pranuar tretman mjekësor. Lidhur me rastin kanë intervenuar menjëherë zyrtarë policorë dhe njësitë relevante policore, të cilat në vendngjarje kanë gjetur dhe sekuestruar tri armë zjarri dhe 28 gëzhoja”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Me urdhër të prokurorit të rastit, policia ka kryer bastisje edhe në pronat e të dyshuarve, ku janë gjetur armë, karikatorë dhe një sasi e konsiderueshme municioni.
“Në vendngjarje ka dalë stafi i lartë menaxhues i Policisë së Kosovës, ekipet mjekësore dhe prokurori i rastit, me vendim të të cilit janë bastisur edhe pronat e të dyshuarve, ku janë gjetur dhe sekuestruar dy karikatorë me 58 fishekë, dy karikatorë të tjerë me 27 fishekë, dy armë të shkurtra me 82 fishekë dhe një armë gjuetie me 49 fishekë”, njofton Policia.
Autoritetet kanë bërë të ditur se rasti është duke u hetuar në koordinim me organet e drejtësisë, ndërsa veprimet hetimore po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit.





