Policia e Kanadasë po heton vandalizmin e xhamisë në Toronto

Autoritetet në Kanada po hetojnë thyerjen dhe vandalizmin e një xhamie në Toronto, njoftoi policia e Torontos, tranmseton Anadolu Agency (AA).

Kujdestari i Qendrës Islame Baitul Jannah njoftoi për sulmin të dielën, raportoi Global News.

“Ata hodhën të gjithë Kuranët që ishin në raft. Ata morën regjistrimin e kamerave të sigurisë dhe e nxorën nga aparati”, tha kreu i xhamisë Atiqur Rahman.

Rahman i tha Global News se thyerjet janë duke ndodhur më shpesh se kurrë më parë. “Mendoj se ka të bëjë me islamofobinë, ose dikush nuk na pëlqen”, tha ai.

Policia tha se thyerjet e xhamisë kanë ndodhur në mars dhe prill, si dhe qershor, por autoritetet thanë se ishte shumë herët për ta quajtur incidentin e fundit një krim urrejtjeje. Megjithatë, njësia policore e krimeve të urrejtjes është njoftuar.

Në fushatën e fundit të vandalizmit, zyra e xhamisë u plaçkit dhe kutitë e donacioneve u thyen. Në sulmin e mëparshëm, 14 nga 15 kutitë e donacionit u morën në të cilat ishin me mijëra dollarë, tha Rahman.

“Ne kishim 15 dhe ata lanë njërën prej tyre. Ata morën paratë dhe thyen dyert. Neve na është dashur të ndryshojmë bravat disa herë”, shtoi ai.

Anëtari i bordit të drejtorëve të xhamisë, Shahab Siddique, tha se arsyet e thyerjeve dhe vandalizmit të përsëritur janë të vështira për t’u kuptuar.

“Kjo është një fe paqeje dhe ka disa njerëz që na urrejnë. Kjo është tronditëse dhe ne jemi vërtet të brengosur”, tha Siddique.

Kryebashkiaku i Torontos, John Tory, tha se do të vizitonte xhaminë më vonë për të shprehur mbështetje për komunitetin musliman.

Toronto është qyteti më i madh në Kanada dhe i katërti më i madh në Amerikën e Veriut, me rreth 2,8 milionë banorë. /aa