Policia: Në mesin e armëve që u gjetën në Zveçan, edhe armë të kalibrit të NATO-s

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, në konferencën e thirrur për medie tha se në mesin e armëve që u gjetën sot në Zveçan, nga Policia e Kosovës kishte edhe armë të kalibrit të NATO-s.

Por që sipas Elshanit, deri më tani nuk ka ende të arrestuar, por ka të dyshuar.

“Aty në mesin e armëve kishte kallashnikov edhe municion 5×56, që i bie kalibër i NATO-s. Duke marr parasysh numrin, sasinë dhe llojin e armëve atëherë del që ky vend të jetë edhe depo. Ne nuk kemi të arrestuar, por kemi persona të dyshimtë” , tha Elshani.

Ai tutje tha se nuk mund të jap më shumë detaje pasi rasti është duke u hetuar nga Drejtoria e Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka thënë se shtëpia ku është gjetur armatimi ishte përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe.

“Kontrabandimi, hyrja ilegalisht e mallrave e armëve në Kosovë, ka prodhuar situatë shqetësuese edhe për qytetarët tanë në veri, të cilët të përballur me fuqinë e kriminelëve kanë jetuar nën shantazh e presion të vazhdueshëm. Si Qeveri, gjatë 2 viteve të fundit, kemi zbuluar e bllokuar rrugët ilegale të kontrabandimit. Ditën e sotme, Policia e Kosovës së bashku me institucionet e inteligjencës, pas identifikimit, ka zhvilluar bastisje në një bazë të armatimit në veriun e Kosovës, konkretisht në Zveçan. Kjo shtëpi është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe”, tha ai.