Policia pikë shënjestre e keqpërdorimit të detyrës/ Vjet u hetuan 208

Inspektoratit të Policisë së Kosovës iu desh që së fundi të intervenojë në një rast për të cilin po kryheshin hetime.

Gjatë ditës së sotme u bë e ditur se është arrestuar një zyrtar policorë i Njësisë Rajonale të Komunikacion rrugor në Gjilan. I njëjti dyshohet se kishte kryer veprën penale ‘Sulm seksual’.

Por së fundi të shpeshta ishin rastet e arrestimeve të zyrtarëve policorë, të infiltruar në vepra të ndryshme penale e kriminale.

Një arrestim nga Inspektorati Policor i Kosovës u bë me datën 10 të këtij muaji, nën dyshimin se zyrtari policor i Stacionit Qendra në Prishtinë kishte tejkaluar autorizimet policore gjatë përdorimit të forcës ndaj një qytetari të arrestuar.

Arrestimi i tij është bërë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare kurse me vendim të organeve kompetente vazhdon të jetë në paraburgim.

Të njëjtit i është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Por në një përgjigje të dhënë nga Inspektorati Policor i Kosovës për lajmi.net është bërë e ditur se gjithsej gjatë vitit 2020 si subjekti i hetimit nga IPK-ja kanë qenë 208 punonjës të Policisë së Kosovës.

“E shprehur në përqindje i bie që 2.3 % i punonjësve të PK-së janë hetuar nga IPK-ja me dyshimin se kanë kryer vepra penale. IPK vitin e kaluar ka proceduar me kallëzim penal në Prokurorinë e Shtetit gjithsejtë 82 raste”, thuhet tutje në përgjigjen e IPK-së.

Poashtu u theksua se në kuadër të realizimit të objektivave ligjore Inspektorati Policor i Kosovës gjatë vitit 2020 ka realizuar gjithsej 32 arrestime të punonjësve policorë të dyshuar për vepra penale dhe gjashtë qytetarëve të dyshuar të cilët ishin të përfshirë në veprimtari penale në rastet ku janë hetuar punonjësit e PK-së.

Përpos kësaj IPK përgjatë kësaj periudhe ka rekomanduar 83 suspendime dhe një transferim.

“Në vitin e kaluar IPK-ja ka hetuar 32 raste të veprave penale me elemente të korrupsionit dhe veprave tjera kundër detyrës zyrtare”, u tha gjithashtu në përgjigjen e zyrës për media nga IPK.

Pesë veprat penale më të shpeshta të hetuara nga Inspektorati Policor i Kosovës në vitin e kaluar janë lëndim i lehtë trupor, keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar, keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, dhuna në familje dhe vepra penale e sulmit.

Por sa i përket periudhës kohore 1 janar 2021 deri më 30 mars 2021, Inspektorati Policor i Kosovës, përkatësisht Departamenti i Hetimeve, ka arrestuar 23 zyrtar policorë.

Nga këto arrestime të suspenduar janë 40 zyrtarë policorë dhe një zyrtar nga stafi civil, kurse është transferuar njëri nga zyrtarët policorë.

Duhet përkujtuar që për vite me radhë, Policia e Kosovës është renditur ndër institucionet me besueshmërinë më të lartë nga qytetarët.

Gjatë kohëve të fundit pati një mori raportimesh për shkeljet të cilat u bënë nga zyrtarët përkatëse të këtij institucioni, gjë që çoi shpesh herë edhe në ndryshimin e drejtuesve të shumtë nëpër stacione e drejtori të shumta të Policisë së Kosovës