Pozicionim i qartë në kohë mjegullnajash

E gjithë bota, kryesisht ajo islame po ndjek me vëmendje të plotë zgjedhjet në Turqi. Përfundimi që do të dalë do të ndikojë në mënyrë direkte edhe Ballkanin e Shqipërinë. Prandaj ne interesohemi, shkruajmë e lexojmë për zhvillimet atje.

Në këto momente kritike shqiptarët besimtarë janë në ankth e frikë e kjo më kujton luftën e Hunejnit ku me gjithë gjerësinë e vet, toka u ishte ngushtuar besimtarëve.
Allahu i sprovonte kështu në mënyrë që fitoren mos ta dinë nga vetja apo nga të qënurit shumë por të jenë modestë dhe shpresën t’a lidhin vetëm për Të.

Në krahun tjetër munafikët që duken prej nesh, kanë ngrënë nga lëmosha e djersës së besimtarëve, janë shkolluar e kanë parë botë me sy, kanë krijuar network me mundësitë që krijoi Turqia duke u dhënë bursë e dinjitet, sot fërkojnë duart në heshtje dhe presin për humbjen e Reisit. Ata janë i njëjti gjak me ata që tradhëtuan islamin, hilafetin, Abdulhamidin.
POR… Reisin nuk do ta braktisin në vetminë e Abdulhamidit. Ai do ta fitojë edhe njëherë dhe përfundimisht do të shtypë butonin e një rendi të ri botëror, një nga qendrat e së cilit do të jetë Turqia, si kampi i islamit.

Edhe në qoftë se planet amerikane funksionojnë dhe e rrëzojnë Erdoganin, a mendoni se do të ketë më kthim mbrapa?! Jo kurrë. Fryma që ka dalë nga “mushkëritë” e dijetarëve, evlijave e mendimtarëve islam këto 100 vitet e fundit që jemi përtokë, është thithur nga brezat e ri në mbarë ummetin dhe ka shëruar kraharoret e tyre. Ajo frymë u injektoi një ëndërr, një qëllim, një kauzë. Nuk është e mundur të “shërohen” më. Ajo nuk mund të ndalet, zgjerohet përditë.
Prandaj çështja nuk është Tajib Erdogan. Njerëzit nuk e duan se është politikan, por se ai është pasqyrë në të cilën shohin kauzën dhe zjarrin që u vlon brenda gjokseve.

Disa që e lexojnë këtë shkrim mund të më akuzojnë si ëndërrimtar dhe emocional. Nuk i marr aspak si fyerje. Siç ka thënë “arkitekti” i Turqisë së re prof. dr. Nexhmedin Erbakan:
“Ju falënderoj që më quani ëndërrimtar sepse po nuk ëndërrove nuk mund të projektosh asgjë të madhe.”

Ata që dinë ta lexojnë mirë historinë dhe dinamikat e ndryshimit njerëzor përgjatë saj e kuptojnë se nuk i bëhet ballë ortekut që rritet vazhdimisht e as nuk mund të shkulen rrënjët e së kaluarës.

✍️ Samel Haxhia 15 Maj 2023