Presidenti i Kinës, Xi Jinping ka pritur homologun e tij francez, Emmanuel Macron, në një takim joformal në provincën jugperëndimore kineze Sichuan, transmeton Anadolu.
Macron në platformën sociale të kompanisë amerikane X tha se në takim ata ndanë një “moment të fuqishëm” me presidentin Xi dhe gruan e tij Peng Liyuan në qytetin Dujiangyan, i cili është i njohur për sistemin e tij të lashtë të ujitjes. Ai falënderoi ata për vizitën frymëzuese dhe për mikpritjen e mbushur me miqësi.
“Sistemi i ujitjes në Dujiangyan është i vetmi projekt i lashtë i ujitjes në botë që ende është në funksion sot dhe gjithashtu një nga praktikat më të hershme të suksesshme të bashkëjetesës harmonike midis njerëzimit dhe natyrës”, i tha presidenti Xi homologut të tij Macron.
Xi shtoi se procesi i ndërtimit të saj “pasqyron plotësisht shpirtin e kombit kinez për vetëpërmirësim të vazhdueshëm, guxim përballë vështirësive dhe guxim për të ecur përpara”.
Presidenti Macron, i cili mbërriti në Kinë të mërkurën për një vizitë shtetërore 3-ditore, u pa duke vrapuar pranë zonës së Liqenit Jincheng në Chengdu para bisedimeve ballë për ballë me presidentin Xi.
Dje, dy liderët zhvilluan takim dypalësh në nivel delegacionesh në Pekin gjatë të cilit diskutuan tregtinë dhe bashkëpunimin midis dy vendeve si dhe çështjet ndërkombëtare dhe rajonale, përfshirë luftën e vazhdueshme Moskë-Kiev.
Të dyja palët lëshuan deklaratë të përbashkët kundër ndryshimeve klimatike.
Kina dhe Franca riafirmuan angazhimin e tyre për zbatimin e marrëveshjeve mbi ndryshimet klimatike, rritjen e multilateralizmit dhe adresimin e sfidave globale si dhe mbështetjen e shkencës si bazë për veprimet e të gjitha palëve.
Ata riafirmuan angazhimin e tyre për të ndaluar dhe përmbysur shpyllëzimin dhe degradimin e tokës, për të arritur zhvillim të qëndrueshëm, për të dhënë kontribute pozitive në mbrojtjen e pyjeve tropikale të shiut dhe për të forcuar menaxhimin e integruar të ujërave dhe qeverisjen globale të oqeaneve.
Të dy vendet ranë dakord të mbështesin përpjekjet për të negociuar një instrument ndërkombëtar ligjërisht të detyrueshëm për t’i dhënë fund ndotjes plastike si dhe shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar në mbështetjen e vendeve në zhvillim për të arritur zhvillim të qëndrueshëm, duke mbështetur aftësinë e tyre për qasje në fonde dhe duke inkurajuar tranzicionin e përshpejtuar ekologjik.
Ata thanë se do të shqyrtojnë mbajtjen e një takimi mbi krijimin e një grupi pune për të adresuar ndryshimet klimatike vitin e ardhshëm. I shoqëruar nga udhëheqës biznesi dhe zyrtarë qeveritarë, kjo është vizita e katërt shtetërore e presidentit Macron në ekonominë e dytë më të madhe në botë.




