Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan do të presë krerët e shteteve dhe qeverive në Samitin e 36-të të Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të NATO-s, raporton Anadolu.
Në kuadër të samitit, që do të mbahet më 7-8 korrik në Ankara, presidenti Erdogan do të zhvillojë takime në Kompleksin Presidencial me 32 krerë shtetesh dhe qeverish.
Erdogan do të takohet me liderë, mes të cilëve presidenti i SHBA-së Donald Trump, presidenti i Francës Emmanuel Macron, presidenti i Finlandës Alexander Stubb, presidenti i Sllovakisë Peter Pellegrini, kryeministri i Britanisë së Madhe Keir Starmer, kancelari i Gjermanisë Friedrich Merz, kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni, kryeministri i Kanadasë Mark Carney, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, presidenti i Bullgarisë Rumen Radev, kryeministri i Malit të Zi Milojko Spajiq, sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte dhe presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa.
Erdogan pritet të zhvillojë më 7 korrik një takim kokë më kokë me presidentin amerikan Donald Trump si dhe një konferencë të përbashkët për mediat. Presidenti Erdogan dhe bashkëshortja e tij, Emine Erdogan do të shtrojnë mbrëmjen e 7 korrikut një darkë në Kompleksin Presidencial për nder të krerëve të shteteve dhe qeverive dhe bashkëshorteve të tyre.
Më 8 korrik, Erdogan do t’i presë liderët me mbërritjen e tyre në vendin e samitit dhe do të realizohet fotografia familjare. Pas fjalës hapëse të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, presidenti Erdogan dhe liderët do të mbajnë fjalimet e tyre.
Pas takimit, presidenti Erdogan, presidenti amerikan Trump dhe disa liderë të tjerë do të mbajnë veçmas konferenca për mediat në Sallën e Ekspozitave Kombëtare në Bestepe.
Në samit, ku do të vlerësohen hapat e ndërmarrë në kuadër të vendimit për rritjen e investimeve në mbrojtje dhe përpjekjet e Aleancës në fushën e parandalimit dhe mbrojtjes nga një këndvështrim 360 gradë, liderët do të shkëmbejnë pikëpamje strategjike mbi kërcënimet, rreziqet dhe sfidat ndaj hapësirës euroatlantike.
Në samit do të trajtohet gjithashtu situata në Ukrainë dhe zhvillimet e fundit në krahun jugor të Aleancës. Përveç 32 krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të NATO-s, në samit do të marrin pjesë rreth 100 ministra, shumë diplomatë të lartë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe të ftuar.






