Presidenti i Republikës Çeke, Milos Zeman ka thënë se dështimi i aleancës ushtarake të NATO-s në Afganistan ka vënë në pikëpyetje legjitimitetin e saj dhe ka bërë thirrje që shteti i tij të fokusohet në mbrojtjen e vet kombëtare dhe të mos “shpërdorojë fonde kot” për NATO-n.
Republika Çeke ishte zotuar gjatë presidencës Trump që të rriste buxhetin për shpenzimet ushtarake në 2% deri në vitin 2024, por pas krizës ekonomike që shkaktoi pandemia, qeveria ka deklaruar se kjo gjë nuk do të jetë e mundur.
Zeman, i cili është i njohur për qëndrimet e tij pro-ruse ka thënë se qëllimi kryesor i NATO-s ka qenë luftimi i terrorizmit, por tani ka dështuar në misionin e saj:
“Mosbesimi përkundrejt NATO-s nga një numër vendesh do të rritet edhe më tepër pas kësaj eksperience, sepse çdokush mund të thotë: ‘Nëse dështove në Afganistan, ku qëndron garancia që nuk do dështosh në situata të tjera kritike’”- ka thënë Zeman gjatë një interviste të publikuar nga portali www.parlamentnilisty.cz ditën e sotme.
“Të investosh tani tek NATO është një shpërdorim i parave. Buxheti për mbrojtje duhet të fokusohet në mbrojtja jonë kombëtare dhe prokurimet brenda vendit”- ka shtuar kreu i shtetit çek. /tiranapost



