Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani arriti për vizitë zyrtare tre-ditore në Irak mëngjesin e sotëm, raporton Anadolu Agency (AA).
Rouhani në Irak udhëheq një delegacion të madh zyrtarësh nga Teherani ndërsa në Aeroportin Ndërkombëtar në Bagdad u prit nga kryediplomati i Irakut, Mohammed al-Hakim.
Delegacioni i lartë iranian fillimisht vizitoi tyrben e Imam el-Kadhimit në Kadhumiya dhe pastaj Rouhani u takua me homologun e tij irakian, Barham Salih.
Në vazhdim të vizitës Rouhani do të takohet me kryeministrin e Irakut Adel Abdul-Mahdi, kreun e Parlamentit të Irakut dhe me klerikun shiit Ali al-Sistani.
Në tre ditët e ardhshme në takimet e delegacioneve të Irakut dhe Iranit do të nënshkruhen një sërë marrëveshjesh, përfshirë bashkëpunimin e paralajmëruar në sektorin e prodhimit të naftës, gazit dhe energjisë elektrike.
Prioritet të vizitës së Rouhanit në Irak janë temat e ekonomisë dhe fuqizimit të marrëdhënieve tregtare, me të cilat Teherani zyrtar do të forcojë lidhjet rajonale dhe për të lehtësuar efektet e rivendosjes së sanksioneve amerikane.
Irani dhe Iraku dëshirojnë që shkëmbimin tregtar vjetor ta rrisin nga 12 miliardë në 20 miliardë dollarë.
“Irani është i interesuar për zhvillim të shpejtë të bashkëpunimit me Irakun. Shpresoj se nga kjo vizitë do të përfitojnë të dyja palët si dhe do të kontribuojë në forcimin e sigurisë rajonale”, tha Rouhani para nisjes nga Teherani.