Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Presidenti iranian: Bisedimet me SHBA-në janë “një hap përpara”, dialogu kyç për...

Presidenti iranian: Bisedimet me SHBA-në janë “një hap përpara”, dialogu kyç për “zgjidhje paqësore”

Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, ka deklaruar se bisedimet mes Iranit dhe SHBA-së, të zhvilluara me mbështetjen e vendeve rajonale, shënuan “një hap përpara”, transmeton Anadolu.

“Dialogu ka qenë gjithmonë strategjia jonë për arritjen e zgjidhjeve paqësore”, shkroi Pezeshkian në rrjetin social amerikan X, duke theksuar se qasja e Iranit ndaj çështjes bërthamore bazohet në “të drejtat e garantuara nga Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore”.

Presidenti iranian tha se vendi i “përgjigjet respektit me respekt, por nuk e pranon gjuhën e forcës”.

Irani dhe SHBA rifilluan diplomacinë bërthamore indirekte të premten, pas javësh tensionesh të shtuara, të nxitura nga kërcënimi i presidentit amerikan, Donald Trump, për veprime ushtarake kundër vendit.

Ministri iranian i Punëve të Jashtme, Abbas Araghchi, i përshkroi bisedimet si një “fillim të mirë”, duke deklaruar se ato mund të vazhdojnë nëse kapërcehet atmosfera e mosbesimit. Ai tha se është rënë dakord që procesi të vazhdojë dhe se palët mund të mblidhen sërish në Muskat të Omanit në një datë të mëvonshme.

Sipas Araghchit, programi raketor i Iranit nuk është subjekt i negociatave, as tani dhe as në të ardhmen, duke e përshkruar atë si një “çështje mbrojtëse”.