Presidenti i Kinës, Xi Jinping ka bërë thirrje për zhvillimin e inteligjencës artificiale në mënyrë “të sigurt dhe të kontrollueshme”, në një kohë kur konkurrenca teknologjike me SHBA-në po intensifikohet, transmeton Anadolu.
Xi i bëri këto deklarata gjatë një fjalimi të transmetuar drejtpërdrejt në Konferencën Botërore të Inteligjencës Artificiale në Shangai, qendrën financiare të Kinës. Gjatë aktivitetit, ai njoftoi krijimin e Organizatës Botërore për Bashkëpunim në Inteligjencën Artificiale, e cila përfshin 29 vende dhe do ta ketë selinë në Shangai.
Presidenti kinez tha se bota ka hyrë në një “periudhë inovacioni jashtëzakonisht të fuqishëm dhe të paprecedentë” në teknologjitë e inteligjencës artificiale, e cila sjell mundësi të mëdha, por edhe sfida në fushën e qeverisjes.
Ai e cilësoi inteligjencën artificiale si një “pasuri të çmuar që mishëron mençurinë kolektive të njerëzimit”. Kjo ishte hera e parë që Xi merrte pjesë në këtë konferencë, të cilën Kina e organizon që nga viti 2018.
Xi ngriti një sërë pyetjesh, përfshirë mënyrën se si “njerëzit mund të bashkëjetojnë me makinat që mendojnë, si mund të garantohet siguria kur algoritmet përfshihen në vendimmarrje, si mund të trajtohen sfidat etike të teknologjive përmes qeverisjes përshtatëse dhe si mund të realizohet inteligjenca artificiale për të gjithë në një kohë kur hendeku vazhdon të zgjerohet”.
Sipas tij, këto pyetje “kërkojnë shqyrtim serioz dhe përgjigje nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar”.
– “Inteligjenca artificiale duhet të mbetet nën kontrollin e njerëzimit”
Duke njoftuar 5.000 mundësi trajnimi dhe seminare për inteligjencën artificiale gjatë pesë viteve të ardhshme për vendet në zhvillim, Xi paraqiti katër qëndrime kryesore. Së pari, ai tha se duhet respektuar parimi i “hapjes dhe bashkëpunimit me përfitim të ndërsjellë” dhe të nxitet zhvillimi i udhëhequr nga inovacioni.
Duke theksuar se bota po përjeton “ndryshime të mëdha që nuk janë parë në një shekull”, Xi bëri thirrje për “rritjen e ndërgjegjësimit ndaj rreziqeve dhe garantimin që inteligjenca artificiale të jetë e sigurt dhe e kontrollueshme”.
Ai theksoi se vendet duhet të shfrytëzojnë këtë “mundësi të rrallë historike” për të nxitur zhvillimin me burim të hapur, transparencën, bashkëpunimin dhe ndarjen e njohurive në fushën e inteligjencës artificiale. “Inteligjenca artificiale duhet të jetë një mjet i besueshëm për njerëzimin”, tha Xi duke kërkuar krijimin e ligjeve dhe rregulloreve, sistemeve të paralajmërimit teknologjik dhe mekanizmave të reagimit emergjent.
Së dyti, Xi bëri thirrje për forcimin e sigurisë dhe kontrollit mbi zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe së treti, ai kërkoi promovimin e “përfshirjes dhe mësimit të ndërsjellë mes qytetërimeve”. Së katërti, ai bëri thirrje për solidaritet dhe përmirësimin e qeverisjes globale të inteligjencës artificiale.
Duke theksuar se inteligjenca artificiale është “gjithmonë nën kontrollin e njerëzve”, Xi paralajmëroi kundër “zgjerimit të tepruar” të konceptit të sigurisë kombëtare në zhvillimin e inteligjencës artificiale, ku siguria e një vendi vendoset mbi sigurinë e vendeve të tjera.
Ai gjithashtu bëri thirrje për zbatimin e multilateralizmit të vërtetë dhe njohjen e rolit të OKB-së.
“Zhvillimi i inteligjencës artificiale nuk duhet të jetë një performancë solo e një vendi të vetëm, por një simfoni e bashkëpunimit ndërkombëtar”, tha Xi duke i bërë thirrje botës të shmangë “krijimin e padrejtësive të reja historike” në zhvillimin e inteligjencës artificiale.


