Presidenti turk Erdoğan inauguron Muzeun e Demokracisë

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan përuroi një muze kushtuar demokracisë në përvjetorin e pestë të puçit të dështuar të vitit 2016, kur organizata terroriste FETO u përpoq të merrte pushtetin me forcë, raporton Anadolu Agency (AA).

I vendosur përtej kompleksit presidencial në kryeqytetin Ankara, Muzeu i Demokracisë 15 Korriku do të kujtojë vizitorët për frymën e unitetit të turqve që penguan përpjekjen për grusht shteti, ndërsa tregon gjithashtu qëllimet tinëzare të grupit terrorist FETO.

Erdoğan vizitoi muzeun me një grup figurash të nivelit të lartë politik, duke përfshirë kryetarin e parlamentit Mustafa Şentop, nënpresidentin Fuat Oktay dhe kreun e Partisë së Lëvizjes Nacionaliste (MHP), Devlet Bahçeli. Të pranishëm ishin edhe të afërm të personave që humbën jetën natën e puçit.

Pas përurimit, Erdoğan në një ngjarje përkujtimore në Kompleksin Presidencial tha se Turqia do të vazhdojë të jetë në gatishmëri kundër të gjitha organizatave terroriste, përfshirë FETO-n.

“Çfarëdo që të ndodhë, lufta jonë do të vazhdojë derisa anëtari i fundit i FETO-s të neutralizohet, të ndëshkohet dhe të fshihet nga regjistrat”, tha ai.

Ndërkaq, në një adresim televiziv për kombin, presidenti Erdoğan tha se grupet terroriste dhe ata që qëndrojnë pas tyre nuk mund ta realizojnë kurrë agjendën e tyre pasi turqit nuk do të lejojnë, ashtu siç u demonstrua në natën e 15 korrikut 2016, shtoi ai.

Udhëheqësi turk tha se ata që përbënin kërcënim ndaj Turqisë përmes terrorizmit forcuan padashur unitetin dhe harmoninë kombëtare dhe nuk mund të ngadalësojnë zhvillimin e saj.

FETO dhe udhëheqësi i saj me bazë në SHBA, Fetullah Gülen, orkestruan tentativën për grusht shteti më 15 korrik 2016, në të cilën 251 njerëz u vranë dhe 2.734 u plagosën.

Ankaraja akuzon gjithashtu FETO-n se qëndron pas një fushate të gjatë për të përmbysur shtetin përmes depërtimit në institucionet turke, veçanërisht në ushtri, polici dhe gjyqësor.

15 Korriku tani shënohet si Dita e Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar në Turqi, që është njëkohësisht festë kombëtare. Ngjarje përkujtimore mbahen në gjithë vendin.

Më herët, Erdoğan vuri lule në Monumentin e Dëshmorëve dhe mori pjesë në një program në parlament. /aa