Presidentja e KE-së: Mbështesim procesin e integrimit të rajonit në BE

Në Shqipëri është mbajtur sot samiti Bashkimi Evropian (BE) – Ballkani Perëndimor, ndërkohë temat kryesore ishin trajtimi i pasojave të agresionit rus kundër Ukrainës, intensifikimi i angazhimit politik, forcimi i sigurisë ndaj ndërhyrjeve të jashtme, ballafaqimi me sfidat e paraqitura nga emigrimi, si dhe lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, në përfundim të samitit në Pallatin e Kongreseve në Tiranë mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat, duke u fokusuar në çështjet e diskutuara në samit dhe çështje të tjera.

Michel e konsideroi samitin një mbledhje historike gjatë së cilës sipas tij “ne shkruam historinë”.

“Shkruajmë historinë, sepse për herë të parë kjo mbledhje u organizua në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Presidenti i Këshillit Evropian.

Duke folur për emigracionin, Michel tha se kjo është një temë sfiduese dhe shtoi se “ne përballemi me vështirësi lidhur me këtë”.

“Besoj thellësisht se e ardhmja e fëmijëve tanë do të jetë më e sigurt dhe më e begatë me Ballkanin Perëndimor në BE dhe kjo bindje e përbashkët na bashkon për të favorizuar përmes projekteve konkrete dhe të prekshëm, këtë përafrim”, tha presidenti i Këshillit Evropian.

Kryeministri Rama theksoi se e shikon samitin si një vlerësim për Shqipërinë, sipas tij, për rolin në rajon si një faktor i vendosur dhe rezistent i paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit.

“Do doja të theksoja përmasën tejet historike të këtij samiti. Është hera e parë kur BE-ja del nga kufijtë e BE-së për të mbajtur një samit dhe kjo ndodh në Ballkanin Perëndimor dhe konkretisht në Shqipëri. E shoh si shenjë të jashtëzakonshme të një vetëdijesimi mbi të gjitha që këto ditë BE-ja ka nevojë për Ballkanin Perëndimor ashtu si Ballkani Perëndimor ka nevojë për Bashkimin Evropian”, tha Rama.

Duke folur për sektorin e energjisë, Rama tha se tanimë kanë marrë nga BE-ja përmes komisionit mbështetje buxhetore për vitin në vijim, respektivisht 85 milionë euro.

“Rajoni do të jetë i gjithi i përfshirë në këtë rrugëtim për të ndërtuar më shumë burime energjie dhe për t’u distancuar gjithnjë e më shumë nga ndikimi rus”, theksoi Rama.

“E dua po kështu të besoj se është momenti që të gjithë njerëzve në rajon, por në veçanti popullit shqiptar t’i përçohet mesazhi që BE-ja është këtu për ne”, shtoi ai.

Von der Leyen u shpreh se mesazhi i qartë i samitit ishte i të qenurit së bashku për ato çështje që janë sfida dhe me të cilat përballen të gjithë.

“Një samit partneriteti me biseda të thella, të qarta, të drejtpërdrejta e të sinqerta. Natyrisht që ne diskutuam shumë tema. Një temë madhore është që ne dëshirojmë të përballemi me sfidat që vijnë jo vetëm nga lufta e tmerrshme që ka nisur Rusia në Ukrainë, por edhe një nga pasojat e saj që ka të bëjë me sektorin e energjisë”, tha von der Leyen.

Presidentja e KE-së theksoi se tërësisht dhe me zemër mbështesin procesin e zgjerimit dhe të integrimit të rajonit në BE.

“Emigracioni ka qenë një sfidë me të cilën jemi përballur të gjithë. Ne kemi një interes të plotë dhe të përbashkët për të bashkëpunuar në të gjitha këto aspekte. Pra bëhet fjalë për menaxhimin e emigracionit në formë të përbashkët. Kjo është një sfidë e përbashkët dhe këtë duhet ta menaxhojmë së bashku”, tha von der Leyen

Më tej, ajo po ashtu njoftoi se universitetet e Ballkanit Perëndimor do të mund të bëhen pjesë e rrjetit të universiteteve të BE-së.