Presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodriguez, ka kërkuar nga SHBA-ja të heq të gjitha sanksionet e vendosura ndaj vendit të saj, transmeton Anadolu.
Këto komente erdhën gjatë një takimi në Karakas të presidentes Rodriguez me një delegacion amerikan të udhëhequr nga Kyle Haustveit, një zyrtar nga Zyra e Energjisë Fosile dhe Menaxhimit të Karbonit e Departamentit të Energjisë të SHBA-së.
“Ne këmbëngulim që presidenti Trump t’i ndërpresë sanksionet ndaj Venezuelës në mënyrë që të gjitha investimet të zhvillohen plotësisht”, tha Rodriguez.
Ajo tha se ata kanë pjekurinë e nevojshme për të krijuar bashkëpunim të fortë me Washingtonin në sektorin e hidrokarbureve dhe shprehu shpresën për krijimin e një partneriteti afatgjatë në fushën e energjisë.
“Ne përsërisim nevojën për të ecur përpara drejt një Venezuele pa sanksione, si një mjet për t’u ofruar siguri ligjore institucionale investitorëve që vijnë në vendin tonë, një mjedis ku atyre u garantohet investim i qëndrueshëm me kalimin e kohës dhe një perspektivë që shikon përpara”, shkroi Rodriguez edhe në rrjetin social amerikan X.
Në takim morën pjesë edhe e ngarkuara me punë e SHBA-së në Venezuelë, Laura Dogu, ministrja e Hidrokarbureve e Venezuelës, Paula Henao, presidenti i kompanisë shtetërore të naftës (PDVSA), Hector Obregon, zv/presidenti për Ekonominë, Calixto Ortega dhe zv/ministri i Jashtëm për Amerikën e Veriut, Oliver Blanco.





