Votat e zgjedhjeve të 28 dhjetorit pritet të rinumërohet plotësisht në tërë vendin.
Kështu ka mësuar teve1.info nga burime të afërta me procesin e numërimit.
Sipas këtij burimi, vendimi do të merret të hënën nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Nga ky institucion kanë thënë se për momentin nuk ka vendim të ri nga ai 13 janarit, sipas të cilit 10 komuna kanë shkuar në rinumërim të plotë ndërkaq në 28 të tjera do të rinumërohen vetëm nga 10% e vendvotimeve të tyre.
“Varësisht nga gjetjet gjatë rinumërimit në këto 28 komuna, KQZ mund të marrë vendim të ri për rinumërim të vendvotimeve të tjera. Aktualisht, KQZ nuk ka marrë ndonjë vendim tjetër”, ka thënë për teve1.info zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Rinumërimi i votave të kandidatëve për deputetë ka bërë që disa nga kandidatët të humbin numër të madh të votave nga ato që kishin sipas numërimit të parë.
Një fenomen i tillë është vërejtur më së shumti në Komunën e Prizrenit.
Për këtë, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu ka njoftuar se ka lëshuar autorizim për Policinë e Kosovës që të identifikojë personat përgjegjës lidhur me manipulimin e numërimit të votave për kandidatët për deputetët në këtë komunë.
Dyshimet për manipulim të votave kanë bërë që të kërkohet rinumërimi i plotë i votave.
Një kërkesë të tillë e ka bërë edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, poashtu një gjë të tillë e ka këruar edhe koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim.








