Problemet me furnizimin, BE hedh në gjyq Aztrazeneca-n për “shkelje të kontratës”

Komisioni Europian ka nisur procedurat ligjore kundër AstraZeneca. Shumica e vendeve të BE-së kanë deklaruar se mbështesin padinë me arsyetimin se dorëzimi i dozave nga kompania ka vonuar procesin e vaksinimit.

Megjithatë, pesë deri në gjashtë vende, duke përfshirë shtete të mëdha si Gjermania dhe Franca, ngritën shqetësime në lidhje me fillimin e një procesi gjyqësor kundër AstraZeneca, sipas disa diplomatëve. Një nga shqetësimet, siç shpjegoi një diplomat, është se një proces gjyqësor nuk do të garantonte që BE të merrte më shumë doza.

Disa ambasadorë kanë paralajmëruar se një proces gjyqësor do të minonte më tej besimin e qytetarëve te AstraZeneca sepse do të dëmtonte imazhin e saj. Përplasja mes BE-së dhe AstraZeneca nisi kur kjo e fundit tha se nuk do të dorëzonte numrin e dozave të premtuara. Deri në fund të tremujorit të parë, kompania dorëzoi vetëm 30 milion doza në vendet e BE, në vend të 100 milion dozave të premtuara.

Mungesat penguan fushatat e vaksinimit në të gjithë vendet e BE-së. Kompania tha se do të dorëzojë afërsisht 70 milion doza në fund të tremujorit të dytë të këtij viti, në vend të 300 milion dozave. /abcnews