Procesori i frikshëm i AMD, Threadripper Pro 7995WX, ka 96 bërthama

Është hera e parë që AMD rrit numrin e bërthamave të kësaj linje që prej serive Threadripper 3000.

Mesa duket AMD më në fund ka vendosur të rrisë numrin e bërthamave të procesorëve Threadripper. Një raport i fundit hedh dritë mbi Ryzen Threadripper Pro 7995WX i cili ka 96 bërthama dhe 192 threads.

Është hera e parë që AMD rrit numrin e bërthamave të kësaj linje që prej serive Threadripper 3000.

Procesori i vendosur në një sistem Workstation HP Z6 G5 u testua në GeekBench ku u zbulua edhe konfigurimi i bërthamave. Edhe pse frekuenca bazë është raportuar gabim, informacioni i rrjedhur thotë se procesori me 96 bërthama ka një frekuencë maksimale prej 5.14Ghz.

Në mesin e ndryshimeve të platformës Threadripper është edhe standardi i ri i memories DDR5 që po përdoret për herë të parë. Softueri i testimit nuk zbulon këtë informacion por thotë se sistemi i testuar në GeekBench kishte 512GB RAM.

Shënoi 2095 pikë me një bërthamë dhe 81408 pikë me të gjitha bërthamat në GeekBench 5.5 duke e vendosur në mesin e procesorëve më të shpejtë në qarkullim.

Në të vërtetë është një rekord botëror kur merren në konsideratë të dhënat HWBOT. Nëse mund tu besojmë spekulimeve, procesori do të debutojë në fund të këtij tre mujori.