Ballina Lajmet Kosovë Prokuroria propozon konfiskimin e pronës në Matiçan në vlerë mbi 34 milionë...

Prokuroria propozon konfiskimin e pronës në Matiçan në vlerë mbi 34 milionë euro

Prokuroria Speciale ka propozuar konfiskimin e pronës së paluajtshme në Matiçan të Prishtinës me sipërfaqe prej 131,888 metra katrorë.

“Betimi për Drejtësi” ka siguruar aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) ndaj Bahtir Vitijës për veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së rreme”, ku përmes një aktvendimi kishte arritur të regjistronte një pronë të paluajtshme në Matiçan të Prishtinës me sipërfaqe prej 131,888 metra katrorë.

Në këtë aktakuzë që tash e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, PSRK ka propozuar që Vitijës t’i konfiskohet prona me sipërfaqe 131,888 metra katrorë në Matiçan, Komuna e Prishtinës, në vlerë prej 34 milionë e 490 mijë e 400 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në aktakuzë thuhet se nga 20 maji deri më 28 dhjetor 2022, Vitija me vetëdije kishte paraqitur në mënyrë të qëllimshme dokument me përmbajtje të rreme, konkretisht aktvendimin me numër 3173 të datës 07.05.1970.

Aktvendimin, Vitija e kishte paraqitur si të formës së prerë me datë 16 qershor 1970, duke pretenduar se ishte lëshuar nga Komisioni për Shqyrtimin e Marrëdhënieve Pronësore të krijuara nga uzurpimi në pronësi shoqërore, me qëllim regjistrimin e pronës së paluajtshme.

Prona në fjalë ishte e evidentuar në pronësi të Komunës së Prishtinës, përkatësisht në njësinë kadastrale numër 156-0, në zonën kadastrale Matiçan, me sipërfaqe prej 131,888 m², ndërsa më pas ishte regjistruar në emër të tij në regjistrin kadastral të Komunës së Prishtinës.

Vitija, pasi i ishte refuzuar për herë të dytë regjistrimi i pronës përmes aktvendimit nr. 011-463-2/2042/22 të datës 16 dhjetor 2022 nga Drejtoria e Kadastrit e Komunës së Prishtinës, kishte paraqitur ankesë më 20 dhjetor 2022 në organin e shkallës së dytë – Agjencinë Kadastrale të Kosovës.

Sipas aktakuzës, ai i kishte vënë në lajthim zyrtarët e këtij institucioni, të cilët duke e konsideruar aktvendimin nr. 3173 si dokument të vërtetë, më 28 dhjetor 2022 kishin nxjerrë aktvendimin nr. 03/1122/22, përmes të cilit kishin urdhëruar Drejtorinë e Kadastrit që të bëjë regjistrimin e paluajtshmërisë në zonën kadastrale Matiçan, me sipërfaqe 131,888 metra katrorë, në emër të Vitijës.

Sipas prokurorisë, ky veprim ka rezultuar me legalizimin e përmbajtjes së pavërtetë në dokument publik, konkretisht në regjistrin kadastral.

Për këto veprime, Vitija ngarkohet për veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” nga neni 395, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në aktakuzë është theksuar se Vitija ka vdekur, por prokurori ka vlerësuar se përderisa e drejta pronësore është fituar në mënyrë kundërligjshme, ajo nuk gëzon mbrojtje nga ligjet vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë edhe direktivat e Bashkimit Evropian.

Sipas prokurorisë, konfiskimi i pronës është në funksion të mbrojtjes së interesit publik. Procedura penale po vijohet në bazë të Ligjit për Kompetencat e Zgjeruara, konkretisht nenit 20, i cili përcakton se procedura mund të vazhdojë me qëllim konfiskimin e përfitimeve materiale ose mjeteve të përdorura për kryerjen e veprës penale.

Gjykimi për këtë rast po zhvillohet në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në kuadër të Departamentit Special, ndërsa seanca pritet të mbahet më 13 mars 2026.