Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Protesta ndaj kryeministrit australian në xhami për qëndrimin ndaj Izraelit

Protesta ndaj kryeministrit australian në xhami për qëndrimin ndaj Izraelit

Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, është përballur me reagime dhe protesta gjatë një vizite në një xhami në Sydney, ku mori pjesë në faljen e Fitër Bajramit.

Demonstruesit ndërprenë aktivitetin rreth 15 minuta pasi Albanese dhe ministri i Brendshëm, Tony Burke, iu bashkuan besimtarëve në Lakemba Mosque për të shënuar fundin e muajit të Ramazani.

Sipas pamjeve të publikuara, protestuesit brohoritën “Dilni jashtë!” dhe i quajtën liderët “mbështetës të gjenocidit”, duke iu referuar luftës në Gaza.

Organizatorët u bënë thirrje të pranishmëve për qetësi, duke theksuar se Bajrami është një ditë feste dhe gëzimi. Ndërkohë, një roje sigurie ndërhyri duke neutralizuar një protestues dhe duke e larguar nga vendi i ngjarjes.

Teksa Albanese dhe Burke u larguan nga xhamia, protestuesit vazhduan me thirrje si “Turp për ju!”.

Ngjarja vjen në një kohë tensionesh në rritje në Australi lidhur me qëndrimin e qeverisë ndaj konfliktit në Lindjen e Mesme. Qeveria ka tentuar të balancojë shqetësimet për palestinezët dhe thirrjet për armëpushim me mbështetjen për të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje.

Pas incidentit, Albanese e përshkroi aktivitetin si “jashtëzakonisht pozitiv”, duke minimizuar ndërprerjen dhe duke theksuar se bëhej fjalë për vetëm disa individë në një turmë prej rreth 30 mijë personash.

Ai shtoi se një pjesë e pakënaqësisë lidhet edhe me vendimin e fundit të qeverisë për të shpallur Hizb ut-Tahrir si organizatë të ndaluar, pas një sulmi vdekjeprurës në zonën e Bondi Beach në dhjetor.

Protesta të ngjashme janë zhvilluar edhe në muajin shkurt gjatë vizitës së presidentit izraelit, Isaac Herzog, në Australi, ku mijëra persona morën pjesë në tubime dhe pati përplasje me policinë. /mesazhi