Ballina Lajmet Protesta në Izrael për ligjin “shtet kombëtar hebre”

Protesta në Izrael për ligjin “shtet kombëtar hebre”

Arabët kanë protestuar në disa qytetet të Izraelit në shenjë pakënaqësie për ligjin e sapomiratuar për “shtet kombëtar hebre”, me të cilin shtetasit të cilët nuk janë hebre, llogariten qytetarë të rendit të dytë, raporton Anadolu Agency (AA).

Protesta u organizuan në Umm al-Fahma, Haifa, Majd al-Kurumu dhe Galileji, si dhe në disa zonë të shkretëtirës Negev.

Në mesin e dhjetëra mijëra protestuesve, ishin edhe deputetët palestinezë në Parlamentin e Izraelit.

Demonstruesit mbanin në duar flamuj palestinezë, duke thënë se kanë një lidhshmëri me Palestinën dhe territorin e saj, për çka hodhën poshtë “ligjet raciste”.

Rikujtojmë se Izraeli po përballet me kritika të ashpra nga shkaku i vendimit të Parlamentit të tij i cili më 19 korrik miratoi ligjin e diskutueshëm me të cilin Izraeli definohet si shtet hebre.

Ligji më tej thotë se Kudsi, si një tërësi, është kryeqyteti i Izraelit dhe se hebraishtja është gjuha zyrtare e vendit, duke hequr arabishten nga përcaktimi i tij i mëparshëm si gjuhë zyrtare dhe duke e njohur “statusin e saj të veçantë”.

Ligji u miratua me një votim 62-55 në një seancë të zhurmshme të Parlamentit në të cilën ligjvënësit arabë e kritikuan atë që ata e quajtën “racizmi izraelit kundër pakicës arabe”.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka përshëndetur ligjin, duke e përshkruar kalimin e tij si një “moment përcaktues për sionizmin dhe Izraelin”.

Ekspertët dhe intelektualët palestinezë pohojnë se ligji në fjalë, shënon një epokë të re të spastrimit etnik të palestinezëve, dhe si i tillë ka rrezikuar të gjitha përpjekjet për negociata të mundshme për çështjen e Kudsit, si dhe procesin e paqes mes Palestinës dhe Izraelit.