Pse gjithë kjo rezistencë?

Asdren Bytyqi

Kosova, në të kaluarën e pas pavarësisë, jetonte në një iluzion për Veriun, të cilin disa nga elitat politike e besonin si të vërtetë. Edhe nëse nuk ishte i vërtetë, ata shpresonin se, në një formë të paqartë, një ditë do të bëhej i vërtetë. Ky iluzion naiv, i ushqyer keq dhe i jetuar gjatë, solli një deformim të realitetit dhe një pranim mendjelehtë të ideve serbe. Iluzioni u transformua në ankth, i cili sot i ka kapluar edhe ata që kanë besuar në këtë iluzion, por edhe ata që asnjëherë nuk kanë besuar në këtë iluzion, por duhet të ballafaqohen me pasojat e tij.

Shkruan: Asdren BYTYQI, Prishtinë

Pas zgjedhjeve të ligjshme, të cilat u shtynë disa herë, për shkak të kërkesave ndërkombëtare për ofrimin e kohës për reflektim nga Lista Serbe për përfshirje në zgjedhje, atje fituan kryetarët e rinj të etnisë shqiptare të katër komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Këto zgjedhje u pranuan nga SHBA-ja dhe Bashkimi Europian. Ato ishin edhe legale edhe legjitime. Legjitimiteti i këtyre zgjedhjeve buron në vlerat të cilat i përmban Kushtetuta dhe ligjet e vendit. Këto vlera juridike dhe politike e përfaqësojnë vullnetin demokratik të popullit. Ky vullnet nuk e përcakton një nivel minimal të votuesve, për ta determinuar pranueshmërinë e zgjedhjeve. Kësisoj, çdo rezultat i dalë nga ato zgjedhje është legjitim, rrjedhimisht edhe kryetarët e komunave në veri të Kosovës janë legjitimë.

Çdo drejtues i shtetit, në një situatë të ngjashme si ajo që u paraqit në komunat veriore të Kosovës, nuk e ka mundësi apo alternativë, por e ka për detyrim që ta zbatojë ligjin. Zbatimi i ligjit nuk ka karakter selektiv dhe tolerues. Ajo që po e shohim nga ekranet e televizioneve në Veri paraqet dy politika të kundërta, të cilat përplasen me njëra-tjetrën. E para është kundërshtimi i serbëve të Kosovës, përmes shtetit të Serbisë, për çfarëdo shtrirjeje të elementeve të sovranitetit të Kosovës në Veri. Dhe, e dyta, është politika e qartë sovraniste e Qeverisë së Kosovës për të shtrirë sovranitetin e Kosovës në veri pa kushte.

Politika e parë është vazhdimësi e strategjisë politike të Serbisë në Kosovë, sipas modelit rus, për t’i mbajtur në tension vendet të cilat kanë popullsi serbe, duke e shtrirë dorën e kontrollit brenda këtyre vendeve, por edhe njëkohësisht duke e determinuar veten si faktor përcaktues për zgjidhjen e çështjeve të brendshme të atyre territoreve, pasi që negocion nga pozita e kontrollit faktik në terren. Këtë model e përdor Rusia në Moldavi (afër 30 vite), Gjeorgji (mbi 15 vite) dhe Krime (afër 10 vite), duke qenë interesi i vetëm i dy vendeve sllave për të mbajtur një konflikt të gjatë në këto zona, pasi që kjo ka kosto të ulët për vendet kontrolluese dhe kosto shumë më të lartë për vendet e kontrolluara, duke i lënë të pazhvilluara, të pasigurta dhe të varura politikisht për të ardhmen e tyre nga shteti i jashtëm kontrollues. Mjafton për ta kuptuar brishtësinë e gjendjes në Bosnjë, Mal të Zi, Moldavi dhe Gjeorgji, sesa e rrezikuar është Kosova nga një status-quo e pafund, e cila e paralizon jo vetëm territorin e kontrolluar (de fakto), duke e bërë të varur zgjidhjen e çdo çështje të shtetësisë dhe sovranitetit të Kosovës nga shteti i huaj, duke e harxhuar energjinë dhe fokusin shtetëror vetëm në këtë kornizë problemesh, por edhe duke ndërtuar një perceptim politik ndërkombëtar si një shtet “i brishtë” dhe me “kriza etnike të pazgjidhura”, të cilat e minojnë besimin në funksionimin normal të shtetit.

Politika e dytë, ajo sovraniste, e Qeverisë së Kosovës, është qasja e kundërt politike nga të gjitha qeveritë paraprake lidhur me Veriun. Qeveritë e kaluara, duke përdorur strategjinë e joshjes së serbëve të Kosovës, përmes integrimit të tyre në institucionet e Kosovës, menduan se ata gradualisht do t’i binden rendit juridik dhe kushtetues të Kosovës, do të shkëputen nga Qeveria e Serbisë dhe do t’i përqafojnë vlerat e demokracisë perëndimore. Kjo strategji politike, e ndërtuar mbi iluzione dhe naivitet, nuk ka funksionuar asnjëherë. Nga kjo strategji e dështuar përfitoi vetëm qeveria e Serbisë, e cila e shfrytëzoi mundësinë për kapjen e institucioneve të Kosovës në komunat me shumicë serbe nga një parti e vetme politike – Lista Serbe, e cila kontrollonte çdo gjë. Kjo listë politike u forcua shumë, ndërtoi struktura paralele njëkohësisht në Kosovë, si dhe shtypi me mjete të dhunës çdo zë opozitar dhe kundërshtues serb, duke u bërë zëri i vetëm përfaqësues i serbëve dhe Beogradit.

Kryeministri Kurti dhe intelektualët e linjës së njëjtë të mendimit lidhur me Veriun, me të drejtë e kanë ndërtuar mendimin se strategjia e tolerimit të gjendjes së brishtë, falsicitetit dhe sovranitetit fiktiv në Veri duhet të marrë fund.

Jean Boden, në librin e tij “Sovraniteti” e përkufizon shtetin/republikën kësisoj: “Shteti është një drejtqeverisje me pushtet sovran.”, pra tipari dallues i shtetit është fuqia sovrane, një pushtet sovran. Dhe, më tej thotë: “Sovraniteti është fuqia absolute dhe e përhershme e një shteti”.

Politika sovraniste është alternativë e vetme për të thyer status-quo-në e brishtë. Kjo gjendje e pengon shtrirjen e elementeve të sovranitetit të Republikës sonë në veri të Kosovës, pasi që kërkon që edhe sovraniteti i Kosovës të negociohet në tavolinat e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe shtetit që e mban dorën e shtrirë të kontrollit në Veri, Serbisë. Fasada e paqëndrueshme e veriut ra në ballafaqimin e parë me politikën sovraniste, me një erë të lehtë, si tregues i falsicitetit dhe mashtrimit të saj.

Plani ndërkombëtar për integrimin e serbëve në veri ka dështuar. Ky integrim as nuk e ka demokratizuar shoqërinë etnike serbe në Veri, e as nuk i ka integruar për ta respektuar rendin e normave juridike brenda realitetit të ri të shtetit të Kosovës. Nëse Kosova do të vazhdonte qasjen e integrimit tolerues ndaj serbëve, pa rezultate të bindjes ndaj sovranit, por me konsolidim solid të paralelizmin destruktiv, aty do të vazhdonte edhe më tutje gjendja e brishtësisë së pafund dhe e negocimit me elementet e sovranitetit të vendit me shtetin e huaj.

Por pse gjithë kjo rezistencë? Rezistenca e qeverisë së Kosovës ndaj kërkesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian për heqjen e forcave speciale nga Veriu, mosushtrimi i detyrave nga kryetarët e rinj të komunave në objektet komunale dhe caktimi i zgjedhjeve të reja është rezistencë e ligjshme dhe e nevojshme për ta mbrojtur sovranitetin e Kosovës në veri të vendit. Atribut i veçantë dhe thelbësor i sovranitetit është e drejta për të bërë ligje dhe për t’i zbatuar ato. Identiteti i një shteti varet nga identiteti i sovranitetit te tij. Çdo tërheqje e elementeve të cilat e përfaqësojnë sovranitetin e sovranit (Republikës) në territorin e tij është heqje dorë nga sovraniteti. Përtej simbolikës së flamurit shtetëror, ruajtja e rendit dhe sigurisë publike nga forcat e policisë është karakteristika thelbësore e një shteti, pra monopoli i dhunës. Heqja dorë dhe negocimi i vazhdueshëm me këto të drejta absolute të shtetit e vë në pikëpyetje karakterin absolutist të shtetit si shtet unitar.

Rezistenca e qeverisë së Kosovës e ka edhe një motiv kyç politik, atë të Asociacionit. Kosovës, përmes presionit ndërkombëtar, po i kërkohet nga Serbia implementimi i një asociacioni monoetnik me kompetenca ekzekutive, i cili ka karakter juridik autonom. Kryeministri Kurti vazhdimisht tenton t’i bindë ndërkombëtarët për modelin e Këshillit Kombëtar Serb në Kroaci, si model i duhur i vetëmenaxhimit të të drejtave për minoritetin serb në Kosovë. Ky model nuk ka gjetur ende mbështetje nga asnjë shtet perëndimor, një fakt i cili tregon se SHBA-ja dhe Bashkimi Europian janë të interesuar për një asociacion i cili u përshtatet planeve dhe pritshmërive të Beogradit dhe jo atyre të Prishtinës. Miratimi i një asociacioni të tillë, me kompetenca ekzekutive, është defunksionalizim i Kosovës dhe autonomi për Veriun. Kjo autonomi, përveçse është e papranueshme juridikisht për organizimin juridik dhe karakterin unitar të shtetit të Kosovës, ajo e forcon Serbinë brenda Kosovës, pa e njohur Kosovën si shtet, si kundërvlerë e themelimit të saj. Kosova edhe mund të ketë pasoja të sanksioneve ndërkombëtare, por negocimi me Serbinë, nga pozicioni i ushtrimit të plotë të sovranitetit në gjithë territorin e vendit, paraqet një dallim esencial, ngase negocimi bëhet për të drejtat e qytetarëve të etnisë serbe në Kosovë, e jo për territorin e banuar me serbë në Kosovë. Viktor Hygo thotë se “Për një komb, shumë më e rëndësishme është të jetë i shëndoshë sesa i pasur.”! /revistashenja