Një javë me defekte që paralajmërojnë probleme më të mëdha
Ditët e fundit kanë qenë veçanërisht problematike për infrastrukturën dixhitale globale. Shërbime nga të cilat varen miliona njerëz dhe institucione kanë dalë jashtë funksionit, në disa raste për orë të tëra.
Ndërprerjet kanë prekur Outlook dhe shërbime të tjera të Microsoft, sistemet e administratës amerikane të aviacionit civil, disa banka, Agjencinë e Sigurisë Kombëtare (NSA), si dhe kompani si Apple dhe United Airlines.
Afërsia kohore e këtyre incidenteve, në një periudhë kur inteligjenca artificiale po zhvillohet me ritme të shpejta, ka ngritur pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë e sistemeve që mbajnë në funksion shoqëritë moderne.
Një nga shqetësimet kryesore është se inteligjenca artificiale mund t’i bëjë sulmet kibernetike më të lehta, duke ndihmuar identifikimin dhe shfrytëzimin e dobësive në programe.
Në të njëjtën kohë, ajo mund të zbulojë më shpejt gabimet në kodet kompjuterike, duke i detyruar kompanitë të ndërhyjnë vazhdimisht përmes përditësimeve të sigurisë.
Megjithatë, nuk ka prova se ndërprerjet e ditëve të fundit kanë ardhur nga sulme të koordinuara kibernetike apo se inteligjenca artificiale ka qenë shkaku i tyre.
Më 12 nëntor, shërbimet e Microsoft, përfshirë Outlook dhe Teams, u ndërprenë për disa orë në mbarë botën. Kompania ia atribuoi problemin një defekti në një ndryshim të bërë në sistemet e saj të rrjetit, i cili ishte futur gradualisht që prej korrikut, por nuk ishte zbuluar për muaj të tërë.
Një ditë më pas, Administrata Federale e Aviacionit (FAA) ndërpreu për disa orë nisjen e fluturimeve në aeroportet amerikane. Sipas institucionit, shkaku ishte një fluks jonormal të dhënash që mbingarkoi pajisjet e vjetra të rrjetit.
Problemi u shfaq gjatë instalimit të një ruteri të ri në Arkansas, por ende nuk është përcaktuar nëse përgjegjës ishte instalimi apo vetë pajisja.
Ekspertë të aviacionit dhe informatikës kanë vënë në dyshim shpjegimin, duke argumentuar se është e vështirë që zëvendësimi i një ruteri të vetëm të shkaktojë probleme në një sistem kaq të gjerë.
Ata kanë ngritur gjithashtu mundësinë që të kenë ndikuar mirëmbajtja e pamjaftueshme dhe një sistem i ri me inteligjencë artificiale, i projektuar për të parashikuar mbingarkesën e trafikut ajror.
Më 16 nëntor, United Airlines u detyrua të vononte shumë fluturime për gati dy orë, për shkak të një problemi në programin që menaxhon peshën dhe balancimin e avionëve.
Po atë ditë, banka JPMorgan Chase pati vështirësi në përpunimin e disa transaksioneve, për shkak të një defekti në programet e sistemeve të saj të brendshme. Banka përjashtoi mundësinë e një sulmi kibernetik.
Më 17 nëntor, Apple raportoi probleme në iCloud, App Store, Apple Music dhe Apple Pay. Në të njëjtën ditë, jashtë funksionit për disa orë doli edhe rrjeti i brendshëm i NSA-së, për shkak të një përditësimi të gabuar të instaluar gjatë mirëmbajtjes.
Një shpjegim i mundshëm për disa prej këtyre incidenteve lidhet me ritmin e përshpejtuar të identifikimit të dobësive në programet kompjuterike. Inteligjenca artificiale po ndihmon në zbulimin e tyre, por kjo krijon presion mbi kompanitë dhe institucionet për t’i korrigjuar sa më shpejt.
Një shembull është PHP, një gjuhë programimi e përdorur gjerësisht në internet. Më 21 tetor, pas zbulimit të disa dobësive me ndihmën e inteligjencës artificiale, shumë organizata u detyruan të përditësonin sistemet e tyre.
Madje disa faqe u çaktivizuan përkohësisht, deri në përfundimin e ndërhyrjeve të sigurisë. Por përditësimet sollën edhe probleme të reja, për shkak të papajtueshmërisë me sisteme të tjera.
Sipas drejtorit të inteligjencës kombëtare amerikane, Jay Clayton, edhe ndërprerja në NSA lidhej me instalimin e një përditësimi që synonte të korrigjonte dobësitë e PHP-së.
Problemi është se një ndërhyrje e shpejtë për të mbyllur një defekt mund të krijojë një tjetër. Shpejtësia me të cilën inteligjenca artificiale identifikon dobësitë nuk garanton që ato mund të korrigjohen po aq shpejt dhe pa pasoja.
Një faktor tjetër është varësia gjithnjë e më e madhe nga pak kompani që kontrollojnë infrastrukturën dixhitale. Shërbime të shumta mbështeten te qendra të mëdha të të dhënave dhe rrjete të administruara nga Microsoft Azure, Amazon Web Services, Oracle dhe Cloudflare.
Kjo e bën më të lehtë ofrimin e shërbimeve në shkallë globale, por rrit edhe rrezikun që një defekt i vetëm të prekë miliona përdorues.
Ndërkohë, mungesa e transparencës nga kompanitë ka nxitur edhe teori konspirative, sipas të cilave ndërprerjet janë shkaktuar nga sulme të Rusisë, Kinës apo Iranit, ose nga operacione të organizuara nga vetë qeveria amerikane.
Deri tani, këto pretendimen nuk kanë asnjë provë mbështetëse. Pavarësisht shqetësimeve, të dhënat e disponueshme nuk tregojnë se defektet dixhitale gjatë vitit 2026 janë bërë më të shpeshta se në vitet e mëparshme.
Një pjesë e problemeve lidhet me dobësi teknike, mirëmbajtje të pamjaftueshme dhe sisteme të vjetruara. Gjithsesi, ndërsa infrastruktura dixhitale bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar dhe e ndërvarur, edhe një gabim i vogël mund të shkaktojë pasoja në shkallë të gjerë. \tesheshi







