Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Drama e Luftës së Jemenit: edhe kushërinjtë po luftojnë njëri-tjetrin…

Drama e Luftës së Jemenit: edhe kushërinjtë po luftojnë njëri-tjetrin…

Besnikëritë e kundërta, kanë shndërruar fshatra të tëra në vija fronti

Taiz, Jemen – Kur Mukhtari, 45 vjeç, u largua nga fshati i tij, rreth 50 kilometra në jug të qytetit të Taizit, në vitin 2019, nuk e mendonte se një ditë do të kthehej si luftëtar, ndërsa kushëriri i tij do të detyrohej të arratisej.

Por lufta që prej vitesh përfshin Jemenin kishte përmbysur gjithçka, madje edhe lidhjet më të forta familjare. Mukhtari ishte rritur në atë fshat, ku punonte si fermer dhe ndërmjetës për shitblerjen e tokave.

Por, duke mbështetur lëvizjen Huthi, të njohur edhe si Ansar Allah, ai ndodhej në një territor të kontrolluar nga forcat qeveritare, të mbështetura nga Arabia Saudite. Frika se mund të arrestohej, ashtu si shumë simpatizantë të tjerë të Huthive, e detyroi të largohej.

Pasi u vendos në një zonë nën kontrollin e rebelëve, ai iu bashkua radhëve të tyre. Thotë se e bëri këtë për bindjet fetare dhe jo për para, pasi beson se Huthinjtë po luftojnë për një kauzë të drejtë dhe jo në shërbim të fuqive të huaja.

Shtatë vjet më vonë, në shtator dhe tetor 2026, ofensivat e Huthive në jug të Hodeidës dhe në provincën e Taizit ndryshuan sërish fatin e familjes së tij.

Rebelët morën territore të gjera, duke përfshirë edhe zonat e fundit të Taizit që më parë kontrolloheshin nga qeveria, me përjashtim të qytetit dhe disa pjesëve të malit Jabal Sabir.

Për Mukhtarin, përparimi i tyre ishte mundësia për t’u kthyer në shtëpi. Ai mori pjesë në luftime dhe, pas marrjes së fshatit më 4 tetor, u kthye në vendlindje. Por mbërritja e tij shkaktoi largimin e kushëririt Mohammed, 37 vjeç, i cili lufton në anën e forcave qeveritare.

Kushëriri që u kthye dhe ai që u largua

Mukhtari thotë se nuk ka ndërmend ta dëmtojë të afërmin e tij. Madje, u referohet amnistive të shpallura nga udhëheqja Huthi për luftëtarët që dorëzojnë armët dhe kthehen në shtëpi.

Por Mohammed nuk i beson. Ai i konsideron Huthinjtë një kërcënim për bindjet fetare të komunitetit dhe ata që u janë bashkuar si tradhtarë. Sipas tij, humbja e territoreve brenda pak ditësh erdhi edhe për shkak të bashkëpunimit të disa banorëve me rebelët.

Ai vazhdon të luftojë përkrah forcave qeveritare në provincën e Lahjit dhe nuk e konsideron më Mukhtarin si pjesë të familjes. Në këtë përplasje, armiqësia politike duket se ka zëvendësuar lidhjet e gjakut.

Mohammed këmbëngul se askush nuk i dëboi mbështetësit e Huthive nga fshati, por ata u larguan vetë për t’iu bashkuar rebelëve. Sipas tij, pa ndërhyrjen e tyre, komuniteti do të kishte vazhduar të jetonte në paqe.

Për Abdulrahmanin, 64 vjeç, xhaxhain e të dy kushërinjve, kjo është një nga pasojat më të dhimbshme të luftës. Në një rrëfim për Middle East Eye, ai thotë se një nga fytyrat më të shëmtuara të konfliktit është të shohësh vëllezër dhe kushërinj duke luftuar kundër njëri-tjetrit.

Ai kujton se pas marrjes së fshatit nga Huthitë, disa të rinj të ardhur nga territoret e kontrolluara prej tyre zunë vendin e banorëve të njohur, të cilët u larguan nga shtëpitë.

Lufta ka hyrë brenda familjeve

Rasti i Mukhtarit dhe Mohammedit nuk është i veçantë. Edhe në nivelet më të larta të politikës dhe ushtrisë jemenase ka familje të ndara mes dy kampeve.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të qeverisë, Saghier bin Aziz, ka një vëlla, Hamoudin, që është udhëheqës i Huthive. Një tjetër shembull është Najib Ghallab, zyrtar i Ministrisë së Informacionit, vëllai i të cilit, Abdel Fattah, gjithashtu mban pozita drejtuese në radhët e rebelëve.

Gazetari Oday al-Dukhaini, që ndjek zhvillimet ushtarake në Jemen, thotë për Middle East Eye se konflikti ka depërtuar nga arena politike në zemër të familjeve, duke shkatërruar marrëdhënie të ndërtuara ndër vite.

Sipas tij, njerëzit përfundojnë në njërin kamp për arsye të ndryshme: bindje politike e fetare, varfëri, nevoja financiare, presion apo mobilizim nga grupet e armatosura.

Ai thekson se pajtimi duhet të nisë brenda familjeve, përmes ndërhyrjes së të moshuarve dhe figurave me autoritet, duke shmangur akuzat për tradhti dhe duke hapur rrugën për dialog.

Edhe sociologu Hayel Saeed paralajmëron se pasojat e luftës mund të zgjasin me dekada, edhe nëse konfliktit ushtarak i vjen fundi. Në një prononcim për Middle East Eye, ai nënvizon se nuk mjafton një armëpushim: duhet të ndalen gjuha e urrejtjes dhe nxitja e përçarjes, ndërsa shoqëria duhet të rikthejë tolerancën dhe bashkëjetesën.

Një kushëri që mendon ndryshe politikisht, kujton ai, mbetet gjithmonë kushëri. Dhe asnjë bindje nuk mund ta shndërrojë lidhjen familjare në arsye për dhunë.

Në Jemen, ku frontet ushtarake mund të ndryshojnë brenda pak ditësh, plagët e hapura mes familjeve rrezikojnë të mbeten shumë më gjatë se vetë lufta. /tesheshi