Pse u fundosën këto varka?

Hoxhë Enis Cakaj

Po jetojmë në një kohë kur preokupimi kryesor është shfaqja dhe dukja e jashtme dhe
njeriu më shumë rëndësi po i kushton asaj se si duket sesa asaj se si është në të vërtetë.
Për eliminimin e “njollave” fizike, njeriu bashkëkohor po bën çmos, madje shpeshherë po
bën edhe ndërhyrje kirurgjike (operacione plastike) dhe veprime të tjera tejet të dëmshme,
mirëpo çuditërisht nuk e ka këtë vullnet edhe për eliminimin e të metave të tij dhe
përmirësimin e së brendshmes, madje as që po mendon për të, edhe pse kjo e fundit është
kryesorja. Të gjithë e dimë se një gjë vlerësohet në bazë të funksionit që kryen apo rolit
që ka, e jo në bazë të pamjes që shfaq.
Duke dashur që të jem sa më i shkurtër në këtë shkrim, po e cek një shembull që e kanë
përmendur njerëzit e urtë në raport me avancimin tonë dhe përmirësimin e të metave
tona. Ata sollën shembullin e varkës:
 Një njeri që ha hipur në varkën e tij me shpresën për të udhëtuar dhe shpëtuar, por
nuk ka shikuar në vrimat e mëdha dhe të vogla poshtë varkës, ky njeri sigurisht
është më afër fundosjes. (INJORANCË DHE PAKUJDESI)
 I dyti i ka shikuar vrimat, mirëpo nuk i ka marrë me seriozitet dhe ka vazhduar i
gëzuar. Përfundimi i tij ishte sikur i atij të parit. (INJORIM DHE NEGLIZHIM)
 Tjetri deshi t’i rregullonte ato, jo me qëllimin për të shpëtuar, por për ta larguar
përgjegjësinë dhe që ta ngushëllojë e arsyetojë veten, kështu që përmirësimi që e
bëri ishte më i vogël sesa problemi që ishte. E si të shpëtojë i tilli?!
(FORMALITET)
 I katërti u interesua dhe deshi t’i përmirësonte pasojat që la uji i fuqishëm që hyri
nga vrimat, kështu punoi me orë të tëra për ta nxjerrë ujin nga varka e tij, mirëpo
vetëm u lodh, ngase vrimat vetëm u shtuan dhe u zgjeruan. Fundi i tij ishte sikur i
atyre para tij, me dallimin se ky i rezistoi më gjatë fundosjes. (ILAÇI I
GABUAR)
Pra, këto të katërtat, injoranca, neglizhenca, formaliteti dhe ilaçi i gabuar, janë shtyllat e
dështimit në rrugën drejt përmirësimit.

 Shpëtimi arrihet duke e ditur problemin, duke e identifikuar atë (të metat tona), pastaj
duke e marrë seriozisht pa e neglizhuar dhe injoruar, por duke punuar dhe duke e mjekuar
në mënyrën e duhur, jo duke i mjekuar simptomat dhe pasojat, por duke i mjekuar
shkaktarët dhe sëmundjet.
Prandaj të shikojmë për të metat në veten tonë, t’i njohim ato, ta marrim seriozisht
përmirësimin e tyre dhe t’i mjekojmë me ilaçin e duhur, që të mos na përmbyten “varkat”
tona.
“Vërtet, kushdo që pastron atë (veten e tij), do të shpëtojë dhe kushdo që e shtyp atë
(me punë të këqija) do të dështojë.” (Kuran, esh-Shems: 9-10)
I Dërguari i Allahut, Muhamedi ﷺ thotë: “Allahu nuk shikon trupat dhe fizionomitë
tuaja, por shikon zemrat dhe veprat tuaja.” (Muslimi)

Mos të harrojmë se:
 varkat e tyre nuk u fundosën për shkak të ngjyrës dhe pamjes së jashtme, por për
shkak të problemeve esenciale që kishin përbrenda…
 jo vetëm varkat, por kishte edhe anije të mëdha me nam botëror për të cilat ishte
menduar dhe pretenduar se nuk do të fundoseshin asnjëherë, por që janë fundosur
për shkaqe të njëjta ose të ngjashme…
 fundosjet e tilla dinë të mos jenë të dëmshme vetëm për pronarin e varkës, por
edhe për të tjerët që e shoqërojnë…

Nga: Hoxhë Enis Cakaj