Punëtorët e “Pastrimit”, nisin protestën para Komunës së Prishtinës

Punëtorët e Kompanisë Rajonale të Mbeturinave, “Pastrimi”, kanë nis një protestë para Komunës së Prishtinës, edhe pse ka filluar takimi mes kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama dhe përfaqësuesit e sindikatës.

Ata kërkojnë që të takohen me kryetarin Rama.

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” më 14 maj ka ndërprerë sot grumbullimin e mbeturinave në Prishtinë. Si pasojë e kësaj në kryeqytet kontejnerët janë të stërmbushur derisa qese e gjëra të tjera kanë dalë edhe jashtë tyre.

Kjo kompani ka njoftuar se për shkak të mospagesës së borxhit nga Komuna e Prishtinës në vlerë prej dy milionë e shtatëqind mijë euro, kjo kompani është e detyruar të ndërpresë ofrimin e shërbimit të grumbullimit të mbeturinave në territorin e Komunës së Prishtinës.

Ndërkaq, përmes një postimi në rrjetin social në Facebook kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha se nuk do të lejojnë që keqmenaxhimi të rrezikojë shëndetin publik dhe pagat e punëtorëve të ndërmarrjes “Pastrimi”.

Ai tregoi se sot priti në takim përfaqësuesit e Sindikatës së Punëtorëve të kompanisë “Pastrimi”.

“I falënderoj sindikalistët dhe të gjithë punëtorët për qëndrimin e tyre të përgjegjshëm dhe për bashkëpunimin e tyre të sinqertë në këto momente të kritike për ta dhe qytetarët.

Ne jemi në anën tuaj. Të drejtat tuaja nuk janë të negociueshme, dhe askush nuk do të mbetet pa punë për shkak të dështimeve menaxheriale. Jemi të vendosur të veprojmë me integritet dhe vendosmëri për të mbrojtur interesin publik dhe dinjitetin e punëtorëve”, ka shkruar Rama.