Pushteti me akuza ndaj Prokurorisë

Ministra të Qeverisë Kurti, përmes statuseve në Facebook, kanë akuzuar Prokurorinë për neglizhencë dhe moshetim të rasteve të mëhershme, për të cilat pretendojnë se ka pasur keqpërdorime.

Ministri i Financave dhe i Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se këtë muaj bëhen 2 vjet prejse kishte dorëzuar kallëzimin penal në Prokurorinë Speciale për rastin me keqpërdorimin e shpronësimeve për rrugën Kijevë-Zahaq.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se kallëzimit penal ia kishte bashkangjitur edhe raportin e auditimit, në të cilin thotë ai, ishin gjetur shumë keqpërdorime.

Murati ka shkruar se raporti i auditimit kishte gjetur se vlera e pronave që parashihej të shpronësoheshin, në databazën e tatimit në pronë ishte rreth 6 milionë euro.

“Më 17 maj 2019 ishte dorëzuar tabela e vlerësimit, dhe vlera e këtyre pronave ishte vlerësuar 31 milionë euro, pra rreth 5-fish më shumë sesa vlera e vlerësuar për tatim në pronë. Më 17 dhjetor 2019, pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, edhe pse qeveri në dorëheqje, Qeveria e PAN-it e udhëhequr nga Haradinaj, kishte miratuar vendimin për shpronësim përfundimtar, por me tabela tjera të vlerësimit, e jo ato të prezantuara më 17 maj 2019”, ka shkruar ai.

Sipas tij, dallimi ishte se nga 31 milionë euro që ishte në tabelën e parë, e që veçse ishte e fryrë, vlera në tabelën e miratuar më 17 dhjetor ishte 43 milionë euro, pra sipas tij, rreth 12 milionë euro ndryshim për 6 muaj.

Për më tepër, ka shtuar se rritja nuk ishte bërë si rezultat i ndonjë ndryshimi në vlerësimin e të gjitha parcelave, por kjo fryrje vinte si rezultat i dyfishimit në vlerë për parcela me pronarë të caktuar.

“Si Qeveri që e lufton korrupsionin, krejt çfarë ka qenë në dorën tonë e kemi bërë. Pra, identifikimin e rastit. Mbledhjen e provave, dhe dorëzimin e tyre në prokurori. Kemi anuluar edhe vendimin për shpronësim, në mënyrë që të mbrohet buxheti nga paditë potenciale. Një hetim i mirëfilltë i zhvilluar nga prokuroria do të nxirrte në pah edhe arsyet se pse u bënë këto rritje të vlerave, dhe kush i kishte porositur. Por çfarë ka bërë Prokuroria Speciale? E hedh poshtë kallëzimin penal. Këtë e bën me arsyetimin se me vendimin e qeverisë për anulim të shpronësimeve (vendim i Qeverisë Kurti), është evituar dëmtimi i buxhetit. Dhe meqenëse nuk ka dëmtim të buxhetit, nuk ka as vepër penale të cilën prokuroria duhet ta hetojë më tutje. Pak a shumë, ky ka qenë arsyetimi”, ka shkruar ai.

Pra, sipas tij, të gjitha provat e faktet hidhen në ujë, sepse bëhej fjalë për një rast ku ishte e përfshirë kasta e vjetër.

“Se kush ka qenë prokurori i ngarkuar me këtë rast, besoj e keni shumë të lehtë t’ia qëlloni”, ka shkruar ai.

Duke ia shpërndarë postimin në Facebook Muratit, lidhur me Prokurorinë ka shkruar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ajo ka thënë se njësoj kanë vepruar PSRK edhe me kallëzimin penal ndaj ish-ministrit të Drejtësisë dhe ish-drejtorit të burgjeve të cilët, sipas saj, pronën e MD ia kishin dhënë një oligarku, pa asnjë bazë ligjore.

“PSRK pati thënë nuk ka bazë për ndjekje sepse e keni ndalur dëmin anipse dëmi ishte shkaktuar tashmë”, ka shkruar ajo.

Të premten janë arrestuar dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë dhe një biznesmen nën dyshimin për dallavere me rezerva shtetërore.

Në Dosjen e Prokurorisë Speciale pretendohet se buxheti është dëmtuar për 601 mijë euro.

Drejtori i Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave në MINT, Hafiz Gara, dhe drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica, si dhe biznesmen Ridvan Muharremi, u arrestuan të premten.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, e ka quajtur “keqpërdorim të mekanizmave ligjorë për hakmarrje”, arrestimin e dy zyrtarëve të Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë dhe një biznesmeni nën dyshimin për dallavere me rezerva shtetërore.

Sallahu ka thënë se “çështja ka karakter komplet civil dhe po tentohet të kthehet në çështje penale si formë hakmarrjeje ndaj Qeverisë”. /koha