Putin diskutoi mbi partneritetin strategjik me presidentin e Indonezisë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe ai i Indonezisë, Prabowo Subianto, diskutuan mbi partneritetin strategjik midis dy vendeve, si dhe çështje ndërkombëtare dhe rajonale, transmeton Anadolu.

Sipas një deklarate nga Kremlini, Putin u takua me homologun Subianto në Moskë.

Gjatë takimit, u diskutua partneriteti strategjik midis dy vendeve dhe çështjet ndërkombëtare dhe rajonale.

Në fjalimin e tij gjatë pjesës së takimit të hapur për shtypin, Putin preku marrëdhëniet midis Rusisë dhe Indonezisë.

“Marrëdhëniet në fushën e tregtisë dhe ekonomisë po zhvillohen me shpejtësi. Në nëntë muajt e parë të këtij viti, vëllimi i tregtisë dypalëshe u rrit me 17 për qind. Ekziston një potencial i madh në sektorin e energjisë, përfshirë prodhimin e energjisë bërthamore”, tha Putin.

Putin deklaroi gjithashtu se ata vazhdojnë bashkëpunimin me Indonezinë në fushën e teknologjisë ushtarake dhe se të dy vendet po zbatojnë projekte të përbashkëta në sektorin e bujqësisë.

Putin theksoi se Indonezia është anëtare e BRICS, duke shtuar: “Negociatat janë duke u zhvilluar me Bashkimin Ekonomik Euroaziatik (EAEU) për të krijuar një zonë të tregtisë së lirë. Jemi të kënaqur me këtë”.

– “Vazhdon dialogu midis Indonezisë dhe Rusisë për shumë çështje”

Presidenti indonezian, Subianto, deklaroi gjithashtu se marrëdhëniet me Rusinë po zhvillohen. “Dialogu vazhdon midis Indonezisë dhe Rusisë për shumë çështje”, tha Subianto.

Subianto theksoi se delegacione të shumta ruse kanë vizituar kryeqytetin Xhakarta në muajt e fundit dhe e kanë ftuar Putinin në Indonezi.