Putin: Doktrina ushtarake ruse parasheh vetëm përdorimin mbrojtës të armëve bërthamore

Doktrina ushtarake e Rusisë parasheh vetëm përdorimin mbrojtës të armëve bërthamore, tha sot presidenti Vladimir Putin, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një takim të Klubit të Diskutimit Valdai në Moskë, Putin tha se armët bërthamore mund të përdoren vetëm nëse Rusia sulmohet dhe se ai asnjëherë nuk ka kërcënuar se do të përdorë armë bërthamore askund, përfshirë Ukrainën.

“Ne kurrë nuk kemi thënë asgjë në mënyrë proaktive për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore nga Rusia, vetëm u jemi përgjigjur deklaratave të bëra nga liderët e vendeve perëndimore”, theksoi Putin.

I pyetur për pretendimet në lidhje me një sulm të mundshëm bërthamor në Ukrainë, Putin tha: “Rusia nuk ka nevojë për një sulm bërthamor në Ukrainë, nuk ka asnjë sens politik apo ushtarak në këtë”.

Ai, megjithatë, tha se kërcënimi i përdorimit të armëve bërthamore ekziston për sa kohë që ekzistojnë vetë armët, duke përmendur sulmet bërthamore të SHBA-së në qytetet japoneze Hiroshima dhe Nagasaki në vitin 1945.

“Nuk kishte asnjë sens ushtarak në këtë, Japonia ishte tashmë e mposhtur”, tha ai.

Putin theksoi se vendet perëndimore ngjallin artificialisht temën e një sulmi të mundshëm bërthamor për ta paraqitur Rusinë si vend agresiv dhe të rrezikshëm dhe në këtë bazë për të marrë mbështetjen e atyre vendeve që nuk i janë bashkuar ende sanksioneve anti-ruse.

“Qëllimi i zhurmës së sotme për përdorimin e armëve bërthamore është shumë primitiv. Diktati i vendeve perëndimore, një përpjekje për të ushtruar presion ndaj pjesëmarrësve në komunikimin ndërkombëtar, nuk përfundon me asgjë. Ata kërkojnë argumente për të dëshmuar se duhet të ngrihen në këmbë kundër Rusisë së bashku”, tha ai.

Në përputhje me këto përpjekje, tha Putin, “një bombë e ndyrë” është “sajuar” në Ukrainë nga mbetjet e karburantit bërthamor për të akuzuar Rusinë për përdorimin e armëve bërthamore dhe për të nxitur një dënim global.

Presidenti rus tha gjithashtu se ai personalisht e ka udhëzuar ministrin rus të mbrojtjes Sergey Shoygu që t’i telefononte të gjithë homologët e tij perëndimorë dhe t’i paralajmëronte ata për planet e Ukrainës me “bombën e pistë”.

Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi të dielën se Ukraina po planifikonte një provokim me përdorimin e një “bombe të pistë” për të akuzuar Rusinë për përdorimin e armëve bërthamore dhe për të nxitur vendet perëndimore të hakmerren.

Në një deklaratë të përbashkët të dielën, SHBA-ja, Franca dhe Britania hodhën poshtë pretendimet ruse.

Bomba e pistë, pajisje për shpërndarje radiologjike, është një lloj arme spekulative radiologjike që kombinon materialin radioaktiv me eksplozivët konvencionalë.

– “Rusia nuk e konsideron veten armik të Perëndimit”

Rusia nuk e ka konsideruar dhe nuk e konsideron veten armik të Perëndimit, tha presidenti rus Vladimir Putin.

Në takimin e Klubit Ndërkombëtar të Diskutimit Valdai në Moskë, Putin tha se ngjarjet e fundit globale çuan në ndryshime fundamentale në arenën ndërkombëtare dhe Perëndimit do t’i duhet të fillojë një bisedë të barabartë për një të ardhme të përbashkët në çështjet botërore, duke shtuar: sa më shpejt, aq më mirë”.

Putin tha gjithashtu se Perëndimi aktualisht po përpiqet të zëvendësojë ligjin ndërkombëtar me një “rend të bazuar në rregulla” që është krijuar për t’i dhënë atij një mundësi për të jetuar pa rregulla fare.

Për të ruajtur dominimin e tij, Perëndimi po ndjek një politikë “të përgjakshme dhe të pistë”, duke mohuar sovranitetin e vendeve dhe popujve, vazhdoi ai.

Ideologjia bazë perëndimore, liberalizmi, ka ndryshuar përtej njohjes, në një pikë absurditeti, ndërsa pikëpamjet alternative janë deklaruar kërcënime për demokracinë, tha ai.

Ai shtoi se SHBA-ja nuk mund t’i ofrojë botës asnjë agjendë pozitive, por vetëm dominimin e saj.

“Rusia nuk e ka konsideruar veten dhe nuk e konsideron veten armike të Perëndimit. Rusia u përpoq të ndërtojë marrëdhënie me Perëndimin dhe NATO-n, me të njëjtin mesazh: Le të jetojmë së bashku në miqësi”, tha ai.

Putin vuri në dukje se Rusia nuk ka plane të bëhet vetë një hegjemon, përkundër “krizës doktrinale të modelit neoliberal të rendit botëror amerikan”.

Diktatura në çështjet botërore mund të kundërshtohet vetëm nga zhvillimi i vendeve dhe popujve, si dhe “lulëzimi i kompleksitetit të kulturave dhe traditave”, shtoi Putin.