Putin pohon se gazsjellësi Rrjedha Veriore 2 mund të aktivizohet në rast nevoje

Duke iu adresuar gazetarëve në Moskë, Peskov tha se aktivizimi i Rrjedhës Veriore 2 u diskutua gjatë takimit të ish-kancelarit Schroeder me presidentin Putin në Moskë

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka konfirmuar se presidenti rus, Vladimir Putin, i ka thënë ish-kancelarit gjerman, Gerhard Schroeder, se gazsjellësi Rrjedha Veriore 2 mund të aktivizohet nëse është e nevojshme, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke iu adresuar gazetarëve në Moskë, Peskov tha se aktivizimi i Rrjedhës Veriore 2 u diskutua gjatë takimit të ish-kancelarit Schroeder me presidentin Putin në Moskë.

Siç tha Peskov, Schroeder dhe shumë ekspertë kanë shprehur shqetësime për shkak të krizës energjetike dhe gjatë takimit me Putin kërkoi që Rusia të prononcohet për qasjen e saj ndaj zhvillimeve energjetike.

“Duke iu përgjigjur pyetjes së ish-kancelarit gjerman lidhur me aktivizimin e gazsjellësit Rrjedha Veriore 2 në rast krize, Putin u përgjigj se teknikisht është e mundur, megjithëse ai tha se projekti ka nevojë për shumë punë për përdorim të menjëhershëm”, tha Peskov.

Megjithatë, Peskov konfirmoi se Rrjedha Veriore 2 nuk do të jetë në gjendje të operojë me kapacitet të plotë deri në fund të vitit, edhe nëse vihet në përdorim sot.

“Mund të transportohet vetëm gjysma e kapacitetit, pra 27.5 miliardë metra kub, sepse gjysma tjetër e kapacitetit përdoret për konsum të brendshëm”, tha Peskov.

Menjëherë pas pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, Gjermania në koordinim me SHBA-në pezulloi Rrjedhën Veriore 2, i cili ende nuk kishte filluar me punë. /aa