Putini merr pjesë në Samitin që do të kryesohet nga India

Presidenti rus, Vladimir Putin do të flasë në një samit global për herë të parë që kur Wagneri bëri kryengritje në qershor.

Ai do të bashkohet me udhëheqësit nga Kina, India, Pakistani dhe katër vende të Azisë Qendrore për samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO) të martën.

India po kryeson samitin këtë vit, i cili po zhvillohet vetëm dy javë pasi kryeministri indian Narendra Modi u prit nga presidenti amerikan Joe Biden për një vizitë shtetërore.

Siguria rajonale, ekonomia, siguria ushqimore dhe ndryshimet klimatike janë disa nga çështjet që pritet të diskutohen në takim.

Por më e rëndësishmja, SCO do të shërbejë si një platformë për Putinin për të treguar se ai është ende i mirëpritur dhe i dëgjuar në platformat globale, pavarësisht luftës në Ukrainë.

Kina, Rusia dhe katër vende të Azisë Qendrore formuan SCO-në në vitin 2001 si një kundërmasë për të kufizuar ndikimin e Perëndimit në rajon. India dhe Pakistani iu bashkuan grupit në vitin 2017.

Të gjitha shtetet anëtare të SCO-së, që përfshin gjithashtu Kazakistanin, Kirgistanin, Taxhikistanin dhe Uzbekistanin, ose kanë abstenuar ose nuk kanë votuar në favor të sanksioneve të OKB-së kundër Rusisë.

Putini gjatë këtij samiti mund të paralajmërojë Perëndimin kundër asaj që ai e sheh si ndërhyrje të tyre në Ukrainë. Dhe kjo mund të mos jetë shumë e këndshme për Delhin.

Samiti i SCO-së vjen gjithashtu vetëm disa ditë pasi SHBA-ja shtroi tapetin e kuq për kryeministrin e Indisë për vizitën e tij shtetërore.