Putini merr rolin e paqebërësit, pret udhëheqësit e Armenisë dhe Azerbajxhanit

Presidenti rus, Vladimir Putin, do t’i presë liderët e Armenisë dhe Azerbajxhanit për të ndihmuar në arritjen e një marrëveshjeje pas përplasjeve të armatosura që patën këto dy vende së fundi, njoftoi të hënën “Euronews”.

Bisedimet e Putinit me kryeministrin armen, Nikol Pashinyan dhe presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, do të zhvillohen të hënën në rezidencën e liderit rus në Sochi.

Negociatat pasqyrojnë përpjekjen e Kremlinit për të forcuar ndikimin e tij në rajon.

Armenia dhe Azerbajxhani janë përfshirë në një konflikt që nisi para 30 vjetësh për rajonin e Nagorno-Karabakut.

Enklava është pjesë e Azerbajxhanit, por ka qenë nën kontrollin e forcave etnike armene që nga përfundimi i luftës separatiste në vitin 1994. Gjatë një lufte gjashtëjavore në vitin 2020, Azerbajxhani rimori pjesë të Nagorno-Karabakut dhe territoreve ngjitur.

Më shumë se 6,500 njerëz vdiqën në luftime, të cilat përfunduan me një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga Rusia. Moska dislokoi rreth 2000 trupa në rajon për të shërbyer si paqeruajtëse.

Përleshje të tjera ndodhën në kufi të këtyre vendeve në shtator të këtij viti, ku mbetën të vdekur së paku 286 njerëz nga të dyja palët për dy ditë.

Kremlini tha se liderët do të diskutojnë zbatimin e marrëveshjes së paqes të vitit 2020 dhe hapa të mëtejshëm për të rritur stabilitetin dhe sigurinë në Kaukaz.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga Rusia po bëhen pasi udhëheqësit perëndimorë kanë marrë një qëndrim më aktiv në ndërmjetësimin e konfliktit Armeni-Azerbajxhan në mes të pushtimit rus të Ukrainës. /koha