Qarkullon në rrjet letra e të akuzuarit për terrorizëm në Zelandën e Re

I akuzuari për vrasjen e 51 personave në Zelandën e Re, ka shkruar një letër nga burgu, duke treguar qëndrimet e tij politike dhe ato shoqërore, duke shtyrë kryeministren e këtij shteti, Jacinda Ardern, të deklarojë se një gjë e tillë nuk duhet të ndodhte kurrë.

E përditshmja, ‘The New Zealand Herald’, ka publikuar një foto të letrës, e cila pretendohet se është shkruar nga Brenton Tarrant.

Letra vjen si një kundërpërgjigje e një letre që i është dërguar atij nga një person me emrin Alan, që është besohet se jeton në Rusi.

“Mendoj se çdo banor i Zelandës së Re, beson se ky person nuk duhet të lejohet që të shpërndaje mesazhe të urrejtjeje nga burgu”, është shprehur Kryeministrja para gazetarëve në Tuvalu.

“Ai ka një qëllim specifik sa i përket shpërndarjes së propagandës, prandaj ne duhet të jemi të përgatitur.”

Të burgosurve iu lejohet të dërgojnë dhe marrin letra dhe drejtuesit e burgjeve  kanë të drejtë të refuzojnë këtë shërbim vetëm në disa raste.

Sipas mediave, Tarrant ka përmendur në letër një vizitë të realizuar në Rusi katër vjet më parë.

Tarrant, me shtetësi të Australisë, është deklaruar i pafajshëm për 92 akuzat që ngarkohet nga masakra e kryer në dy xhami në Kristçërç më 15 mars. Ai pritet të gjykohet në maj të vitit 2020.