Qasje kuranore mbi raportin prindër-fëmijë

Mr. Jasir Krasniqi

Kurani i kushtoi rëndësi prindërve dhe porositi fëmijët të kujdesen për ta në mënyrë të vazhdueshme, si dhe i qortoi ata që të mos i hidhërojnë prindërit; premtoi Xhenetin për atë që kujdeset për prindërit, ndërsa për atë që sillet keq Xhehenemin.

Zoti xh.sh. në Kuran ka thënë: “Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve … “. (El-Isra, 23).

Barazoi mes adhurimit ndaj Tij dhe mirësisë ndaj prindërve, ngase ka vlerë të madhe respekti ndaj tyre, ndërsa është rrezik i madh mosrespektimi i tyre. Pak nga njerëzit flasin për të drejtat e fëmijëve në Islam, ose më mirë të themi, nuk i kushtohet rëndësi ndikimit të edukimit të mirëfilltë për të gjetur rini të avancuar, të pjekur si duhet, rini e cila mban përgjegjësi shpërndarjen e kësaj feje, ngritjen e fjalë së Allahut xh.sh. dhe dërgimin e saj në çdo qoshe të dynjasë.

Medituesi në kontekstet kuranore dhe mrekullitë e tij, gjen shumë raste kur prindi ka respektuar fëmijën e tij, gjë që si kundërshpërblim, fëmija respektoi prindin e tij. Allahu xh.sh. thotë: ‘Allahu ju urdhëron dhe u porosit për fëmijët tuaj … “(En-Nisa, 11). Ashtu siç porositë Kurani fëmijët për prindërit e tyre, gjithashtu porositë prindërit ndaj fëmijëve.

Ibrahimi a.s dhe djali i tij Ismaili a.s

Nëse dëshirojmë që me një fjalë të përshkruajmë lidhjen e Ibrahimit a.s. me djalin e tij, themi se ai ishte si “fjala e mirë” që ndikon te tjetri. Allahu xh.sh. e quajti një kaptinë të tërë me emrin Ibrahim dhe nëse dëshirojmë të notojmë në kuptimet e kësaj kaptine dhe ajeteve që ka, nuk do të ndalet lapsi së shkruari duke nxjerrë xhevahire të shumtë nga ajetet dhe preciziteti i përdorimit të fjalëve nëpër ajete. Do të ndalemi vetëm te butësia e Ibrahimit a.s. dhe mirësia e sjelljes së tij ndaj fëmijës të tij. Zoti xh.sh. thotë: “Dhe kur arriti ai (djali) që së bashku me të (me Ibrahimin) të angazhohet në punë, ai (Ibrahimi) tha: “O djali im, unë po shoh (jam urdhëruar) në ëndërr të të pres ty. Shiko pra, çka mendon ti? Ai tha: “O babai im, punoje atë që urdhërohesh, e ti do të më gjesh mua, nëse do Allahu, prej të durueshmëve!” (Es-Safat, 102).

Bëhet fjalë për një ëndërr, por, jo e zakonshme, sepse fjala “po shoh” që në gjuhën arabe është folje e tashme e vazhdueshme, që aludon në shikimin e ëndrrës disa herë me radhë, ndërsa po ta shihte vetëm një herë ëndrrën nuk do ta dërgonte birin e tij në vendin e caktuar e t’i rrëfente për një ëndërr që vetëm një herë e ka parë dhe do të vinte në Kuran folja e kohë së kaluar “e kam parë”.

Te fjala “o biri im”, kemi një pikë shumë interesante. Kjo ngase fëmija që konsultohet nga prindi i tij në çështjet e rëndësishme, kjo do të mbjellë vetëbesim te fëmija, e kjo është një nga shtyllat e formimit të një gjenerate të të rinjve që kanë vetëbesim dhe personalitet të çmuar. “O biri im” përmban në vete kuptime të dashurisë, urtësisë, afërsisë, butësisë, ëmbëlsisë shpirtërore së prindit ndaj fëmijës.

Fjala “në ëndërr”, nxjerr në pah një realitet, ngase Ibrahimi a.s., deshi t’i tregonte të birit të tij për një ëndërr që duhet të realizohej. “Te të pres ty”, në këtë ajet kanë ardhur dy përforcues në një fjalë, sikur që do të thotë (vërtet unë shoh në ëndërr duke të të prerë ty), përforcimi i parë aludon në shikimin e ëndrrës shumë herë, ndërsa përforcimi i dytë, në formën duke e prerë djalin.

“Çka mendon ti?”, këtu është një çështje me rendësi, atë të bashkëbisedimit prind-fëmijë, dialog ky; që për qëllim ka dash minë e të birit ndaj babait, që pastaj të vjen deri te dëgjueshmëria, respekti dhe pajtueshmëria. Biri është një nga njerëzit më të dashur për babanë dhe nënën.

Ibrahimi a.s. i tha birit të tij: “O biri im, unë po shoh në ëndërr, vërtet duke të të prerë ty … “, pasi që i përdori këto fjalë, pastaj i tha:
“Çka mendon ti?”

Fëmija që konsultohet nga prindi i tij për çështjet e rëndësishme, ai në vetvete ndërton vetëbesim, ai ndjen se mendimi i tij qenka i vlerësuar, përfiton përvojë dhe mençuri, e kjo është nga shtyllat e formimit të një gjenerate e të rinjve që kanë vetëbesim dhe personalitet të çmuar, të përgatitur që të planifikojë të ardhmen në mënyrën më të mirë e më të matur. Ndërsa nëse prindi nuk i jep fëmijës shansin për të folur fjalën e tij, atëherë kjo sjellë rezultate jo të mira, siç janë: dobësimi i personalitetit të fëmijës, paqëndrueshmëria në një gjendje, pra ai bëhet jo stabil dhe i luhatshëm etj.; zhvillon urrejtje ndaj prindit, në këtë mentalitet të mbyllur rriten farat e rebelimit dhe kjo çon deri te mosrespektimi i prindërve; bën që fëmija ta pasojë atë që është më i lartë se prindi i tij, ndaj edhe shfaqen problemet psikike të ndryshme, të cilat sjellin edhe disfata në personalitet, nuk di të bashkëveprojë me të tjerët etj.

Këto parathënie na sjellin te një rezultat i dobët, ku mund të gjendet një gjeneratë dembele, përtace, që nuk ka vizion, nuk di të planifikojë të ardhmen e vet etj.

Ibrahimi a.s. e mësoi fëmijën e tij që të jetë i kënaqur me caktimin e Zotit dhe ia mësoi atij mirësitë që të sjellin deri te shpërblimet e mëdha dhe dorëzimin e plotë ndaj Allahut xh.sh ..

Allahu e lavdëroi Ismailin a.s., në kaptinën Merjem ku tha:
“Përkujtoje në këtë libër Ismailin! Ai ka qenë shumë besnik në premtim (premtoi të bëhej kurban) dhe i dërguar, pejgamber.” (Merjem, 54).

Ismaili a.s. e realizoi premtimin e tij atëherë kur i tha babait të vet: “O babai im, punoje atë që urdhërohesh, e ti do të më gjesh mua, nëse do Allahu, prej të durueshmëve.”

Si përfundim, Ibrahimi a.s. e thirri birin e tij me dashuri, e konsultoi atë, . mori nga ai mendimin e tij, u qetësua me të … Kështu le të bëhemi edhe ne, prindër dhe edukatorë.

Literatura e shfrytëzuar:

______________
1. Kurani fisnik.
2. Tefsir Ibni Kethiri; Dar ibën Hazm, 2000.
3. Etta ‘bir el-Kurani – Dr.Fadil Essamerrai 2006.
4. Meusuatu Ettefsir el-Meudui – grup autorësh, 2018.
5. Ettefsir el-Munir – Dr. Wehbe Ezzuhejli. 0102.
6. Fi Dhilal el-Kuran – Sejjid Kutb 2005.

Mr. Jasir Krasniqi
Dituria Islame 368/369