Që dritë e diturisë përpara të na shpjerë… duhet mbajtur ndezur!

Ardian Muhaj

Pothuajse gjithnjë analiza ia fillon me klishenë se shkaqet e këtyre rezultateve të dobëta janë të shumta dhe komplekse. Në fakt, shkaqet nuk janë as të shumta dhe as komplekse. Shkaku është vetëm një dhe i thjeshtë fare: keqqeverisja ose, akoma edhe më thjesht e shkoqur: qeveria. Vetëm nëse i marrim qeveritë e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në shumës, atëherë pa dyshim që në këtë rast nuk bëhet fjalë për një shkak, por për disa, konkretisht tri shkaqe kryesore: qeveritë.

Ardian MUHAJ, Tiranë

Ky fundviti 2023 u mbyll duke na sjellë ca rezultate aspak surprizë mbi cilësinë e arsimit në hapësirën shqiptare. Interesante ishte se publikimi i të dhënave të testimit përkoi me atmosferën e kremtimit të 111-vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Pikërisht këtë vit, ashtu si vite me radhë më parë, PISA nxori prapambejtjen e plotë në sistemin arsimor shqiptar. PISA (Project for International Student Assessment) që edhe pse ka kuptim në shqip, në fakt nuk ka lidhje me kuptimin në shqip, është konceptuar si testim për të vlerësuar aftësitë e nxënësve nga vende të ndryshme të botës, si dhe për të parë sa janë të përgatitur për të ardhmen nxënësit e këtyre vendeve.

111 vjet pavarësi në Shqipëri, 15 vjet në Kosovë dhe nuk po arrijmë dot të pavarësohemi nga prapambetja e padituria! Dorën në zemër, këtë mospavarësim e kam vërejtur me kohë dhe pikërisht në kohën e kremtimit të pavarësisë dhe askund më shumë sesa tek gazetarët që vit pas viti më kërkojnë të flas a komentoj diçka për pavarësinë e Shqipërisë dhe se si u arrit kjo pavarësi. Mirëpo, e shoh se është e kotë t’ua përsëris më se në 28 nëntor 1912 nuk u arrit, pra nuk u realizua pavarësia, por u shpall. Nuk është përvjetori i realizimit të pavarësisë, por i shpalljes së saj. E kotë t’u thuash se pavarësia duhet ende të realizohet dhe, për fat të keq, me këtë prapambetje e anashmbetje ndaj zhvillimeve globale pavarësia në vend që të realizohet, rrezikon të rrezikohet.

Testimi PISA, edhe pse i mat aftësitë dhe njohuritë e nxënësve 15-vjeçarë në lexim, matematikë dhe shkencë, në fakt e mat krejt sistemin arsimor dhe, madje edhe krejt shoqërinë shqiptare në hapësirën e saj të plotë. Rezultatet e treguan atë që e dimë, por presim të na e thonë të huajt, se nxënësit shqiptarë janë nën mesataren ndërkombëtare të vendeve të përfshira. Pra, dëshmojnë për cilësinë e ulët të arsimit në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut.

Nxënësit shqiptarë, pa ndonjë dallim të madh përsa i përket hapësirës shqipfolëse, dëshmojnë si vazhdimisht, ashtu edhe këtë radhë, rezultate të ulëta në lexim dhe, veçanërisht, në matematikë. Kjo tregon një hendek të madh dhe që thellohet edhe më shumë në aftësitë bazë, që janë thelbësore për suksesin e mëtejshëm akademik dhe profesional. Ndërkohë që dobësia e rezultateve në matematikë mund edhe të shpjegohet me vetë natyrën e kësaj lënde, dobësia e rezultateve në lexim shqip është e vështirë të imagjinohet e jo më të justifikohet. Ndërkohë analiza e kësaj gjendjeje pothuajse asnjëherë nuk shkon tek shkaqet, edhe pse në përgjithësi shkaqet përmenden. Puna është se ato që analiza, e cila për vete do të dështonte më keq në ndonjë “pisa”, i merr pasojat për shkaqe, në fakt janë thjesht pasoja. Për shembull, pothuajse gjithnjë analiza ia fillon me klishenë se shkaqet e këtyre rezultateve të dobëta janë të shumta dhe komplekse. Në fakt, shkaqet nuk janë as të shumta dhe as komplekse. Shkaku është vetëm një dhe i thjeshtë fare: keqqeverisja ose, akoma edhe më thjesht e shkoqur: qeveria. Vetëm nëse i marrim qeveritë e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në shumës, atëherë pa dyshim që në këtë rast nuk bëhet fjalë për një shkak, por për disa, konkretisht tri shkaqe kryesore: qeveritë.

Nuk janë shkaqe ato që përmenden nëpër analiza, lart e poshtë si mungesa e investimeve të mjaftueshme në arsim ose infrastruktura shkollore e vjetruar etj. Po ashtu nuk janë shkaqe mësimdhënia tradicionale dhe mungesa e metodave innovative etj. Të gjitha janë pasoja të shkakut parësor, pra qeverisë. Politikat dhe vendimet e qeverive kanë ndikim të drejtpërdrejtë në sistemin arsimor. Kjo përfshin financimin dhe menaxhimin e institucioneve arsimore. Është e ditur tashmë se vendimet politike që nuk mbështesin arsimin cilësor kanë ndikim negativ afatgjatë në zhvillimin e arsimit.

Ka ardhur koha që qeveritë vetë të mos na i numërojnë pasojat për shkaqe, por të marrin përsipër përgjegjësinë e plotë për dështimin dhe ato vetë të riedukohen përmes ndërrimit. Janë qeveritë që e kanë krijuar dhe e ushqejnë krizën e pafund në arsimin shqiptar, me pasoja afatgjata për zhvillimin e vendit. Qeveritë duhet të zhvillojnë dhe zbatojnë politika që e mbështesin zhvillimin dhe përmirësimin e vazhdueshëm të sistemeve arsimore për të sotmen dhe të ardhmen e vendit. Degradimi i vazhdueshëm i nivelit të arsimit i paraprin degradimit të gjendjes së kombit dhe jo vetëm sot, por akoma edhe më shumë në të ardhmen.

Shtimi i financimit për arsimin është jetik, por aq më i rëndësishëm është menaxhimi i efektshëm i këtyre fondeve. Arsimi ka ndikim të thellë dhe të gjithanshëm në zhvillimin e një kombi. Investimi në arsim është investim në të ardhmen e një kombi. Qytetarët e arsimuar janë më të aftë të kontribuojnë në rritjen e prodhimit kombëtar, të mos qëndrojnë anash zhvillimeve shoqërore, por të jenë jenë qytetarëve të informuar dhe të angazhuar, të cilët janë më të prirë të marrin pjesë në procese demokratike dhe të kontribuojnë në stabilitetin politik dhe shoqëror. Një qytetar i arsimuar është i prirë me qenë më i vetëdijshëm për çështjet e mirëqenies afatgjatë, gjë e cila ndikon pozitivisht në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror. Nga ana tjetër, një komb i arsimuar është më i aftë të ndikojë dhe të kontribuojë në politikat globale dhe çështjet ndërkombëtare.

Nëse sistemi arsimor nuk është në rregull ose i palidhur me nevojat e tregut të punës dhe sfidat e kohës, ka rrezik të prodhojë breza të papërgatitur për sfidat dhe mundësitë e të ardhmes. Mirëpo, nuk ka arsim të suksesshëm pa shoqëri të lirë, pa liri mendimi dhe liri akademike. Sistemet arsimore që nuk e inkurajojnë mendimin kritik dhe inovacionin priren të krijojnë një mjedis ku të rinjtë nuk janë të motivuar ose të aftë të sfidojnë status quo-në negative dhe të sjellin ndryshime pozitive.

Nuk vlen arsimi nëse nuk formëson qytetarë të ndjeshëm ndaj padrejtësisë, ndaj korrupsionit, ndaj antivlerave. Nëse arsimi neglizhon aspektet e edukimit qytetar dhe të ndërgjegjësimit etik, ka gjasa të krijojë një brez që nuk është i pajisur ose i interesuar sa duhet për të marrë pjesë në proceset demokratike ose për të vepruar me përgjegjësi dhe integritet në shoqëri.

Në fund të fundit, jo çdo sistem arsimor edukon dhe përmirëson njeriun. Nëse një sistem arsimor nuk është në gjendje t’u përgjigjet këtyre dhe sfidave të tjera, mund të thuhet se ai po e dëmton, të ardhmen e kombit. Ndërkohë, një sistem arsimor që është i përgjegjshëm, përfshirës, i përshtatshëm dhe i përqendruar në zhvillimin tërësor të individëve përbën një burim të fuqishëm për zhvillimin dhe përparimin e kombit.

Duhet theksuar vazhdimisht se edukimi nuk ndodh vetëm në klasë dhe në shkollë. Familja është thelbi i çdo sistemi edukimi dhe përpjekja për të krijuar një antagonizëm mes edukimit shkollor dhe edukimit familjar është e dëmshme dhe duhet të jetë edhe e papranueshme. Prindërit dhe mësuesit janë shtylla kryesore e çdo sistemi edukimi. Mirëpo, mësuesit janë produkt i sistemit universitar që në vetvete ka degraduar pandalshëm ose, më saktë, nuk ka arritur asnjëherë në lartësinë e duhur. Mësuesit kanë qenë gjithnjë në ballë të zëdhënies së politikave e direktivave të regjimeve diktatoriale, mbase edhe pa ndonjë alternativë shmangieje, por gjithsesi kjo nuk e zhbën faktin që mësuesve nëpër shkolla regjimet antidemokratike u ngarkojnë me hir ose pahir detyrën e komisarëve ideologjikë të vetë regjimit. Prandaj edhe çdo krizë tek ata që arsimohen duhet kërkuar më së pari tek kriza e atyre që arsimojnë.

Në kërkimin e rrugëdaljeve nga gjendja shumë e rëndë në të cilën është arsimi ndër shqiptarët, ka plot modele të sukseshme në botë, që mund të përshtaten, por para së gjithash nuk ka model që funksionon vetvetiu. Madjem modelet janë gjëja më e lehtë për t’u gjetur. Por, ku të gjejmë vullnetin e sundimtarëve për ta marrë seriozisht arsimin. Ndryshimet e suksesshme në arsim nënkuptojnë dhe përfshijnë atë që çdo vend duhet të marrë parasysh kontekstin e vet unik shoqëror e kulturor. Në vend që të kopjojnë modele të huaja në mënyrë të verbër, është më e dobishme të përshtasim elementët më të suksesshëm të këtyre modeleve në përputhje me nevojat dhe sfidat e vendit.

Sikurse u theksua më sipër, rezultatet e dobëta në lexim në gjuhën amtare, pra shqip, janë të paarsyetueshme. Leximi në gjuhën amtare nuk kërkon laboratorë, pajisje ose infrastukturë të kushtueshme shkollore. Mbase ka ardhur koha të shohim përtej egoizmave krahinorë, nostalgjikë e ideologjikë se ku qëndron problemi me nxënësit tanë dhe përse leximi në gjuhën amtare të zyrtarizuar nuk u vjen kaq lehtë e mbarë sikur do të duhej të ishte. Nuk ndihmon aspak këmbëngulja se zyrtarët gjuhëtarë, që kanë vendosur dhe vendosin për gjuhën, janë të zbritur nga qielli dhe modelet që ata kanë caktuar janë të përsosura dhe të patëmeta.

Natyrisht që arsimi në përgjithësi dhe rezultatet e vlerësimit në veçanti janë të lidhura ngushtë me zakonet sociale të leximit. Këto zakone shpeshherë paragjykohen dhe nuk paraqiten si janë në të vërtetë. Përkundër supozimit se shqiptarët lexojnë gjithnjë e më pak, në fakt e vërteta është se shqiptarët shkruajnë dhe lexojnë gjithnjë e më shumë. Përdorimi i shpeshtuar i internetit, rrjeteve sociale dhe lojërave online, e ka zvogëluar kohën dhe interesin për leximin e librit tradicional. Por, e ka shtuar jashtëzakonisht kohën dhe përqëndrimin e shqiptarëve në leximin e përmbajtjeve online, sidomos përmes portaleve dhe rrjeteve sociale. Kjo, pa dyshim, që ka sjellë një ulje të interesit për leximin e strukturuar dhe një ulje të aftësisë për përqendrim të gjatë. Gjithsesi edhe leximi dhe mënyrat se si lexojmë duhet të përshtaten me zhvillimet e kohës dhe teknologjisë.

Pra, vërtet leximi i lidhur me programin mësimor mund të ketë rënë, por për këtë kurrikulat dhe metodat e mësimdhënies mund të kenë ndikuar në mënyrën se si nxënësit e perceptojnë leximin. Nëse leximi shihet vetëm si një aktivitet për përmbushjen e detyrave shkollore dhe jo si burim kënaqësie dhe mësimi, kjo e ul interesin e nxënësve për lexim në kohën e tyre të lirë. Prandaj është thelbësore nxitja e leximit si burim argëtimi dhe pasurimi personal, jo vetëm si aktivitet akademik.

Përballë këtyre problemeve dhe mangësive, është jetike të ndërmerren hapa konkretë për ta përmirësuar cilësinë e arsimit ndër shqiptarë. Është thelbësore të ndërmerren masa të menjëhershme dhe të qëndrueshme për të adresuar këtë krizë dhe për të siguruar një të ardhme më të ndritur për brezat e ardhshëm të Shqipërisë. Mirëpo, pikëpyetja është se ku do jenë brezat e ardhshëm të Shqipërisë? Kriza demografike, që i mbivendoset shkretimit si pasojë e shpopullimit, ka arritur tashmë në përmasa dramatike. Goditja ndaj arsimit në të gjitha nivelet duket se është një nga elementët që e ushqen këtë eksod të të rinjve. Universitetet përballen tashmë me rënien drastike të studentëve. Për më tepër e për më keq, shifrat vjetore të INSTAT-it tregojnë që largimi vazhdon. Akoma edhe më keq, që ky largim e shpopullim nuk duket se do të ndalet për shumë kohë. As nuk e dimë se a do të dalë dikush që ta ndalë e ta rikthejë shpopullimin në ripopullim.

Për fund, ajo që duket gabimisht sikur ka më pak rëndësi, kur në fakt do të duhej ta zinte kryet e vendit në diskutimin publik mbi arsimin: kërkimi shkencor. Duke se kërkimi shkencor nga qeveritë tona konsiderohet si gjë e pakuptimtë dhe e panevojshme, madje për ndonjë gjeni të qeverisjes e politikës edhe shihet si aktivitet i dyshimtë. Mediokriteti që i ka kapluar këto qeveri bën që vetë termi kërkim shkencor të jetë i padëshirueshëm. Pikëpyetja që sillet në mendjet e pamend të mediokritetit ministror është se çfarë kërkojnë kërkuesit shkencorë dhe çfarë do të na shpikin këta kërkuesit shkencorë. Mirëpo, pa investuar për kërkimin shkencor, nuk mund të pretendohet as zhvillim ekonomik e social i qëndrueshëm e as rritje e cilësisë në arsimin e lartë.

Ndërkohë që buxheti për arsimin është ende në nivelin e vendeve të pazhvilluara, buxheti për kërkimin shkencor është më i ulët edhe se ai i vendeve më të varfra të botës. Por, nuk qëndron puna thjesht tek ca shifra buxheti. Duhet jo vetëm buxheti më i lartë, por edhe vullneti më i fortë për arsim më të mirë.

Rilindësit tanë e kishin kuptuar natyrshëm rëndësinë e arsimit për mirëqenien dhe zhvillimin e shoqërisë dhe kombit. Ata e kishin të qartë se dritë e diturisë do na udhëhiqte rrugën përpara. Për këtë arsye ne sot nuk kemi nevojë të shpikim formulë të re. Thjesht, na ngelet që ta mbajmë ndezur vazhdimisht atë dritë, pa të cilën rruga e zhvillimit dhe forcimit të kombit do të na humbiste sysh. /revistashenja