Qerbelaja e kohës bashkëkohore

Shkruan: Abdullah Klinaku

Kerbela është një qytet në Irak, që te ne përmes shkrimeve dhe poezive njihet si Qerbela. Është vendi, ku ra dëshmor imam Husejni, si rezultat i fitnes së kohës mes myslimanëve. Imam Husejni r.a. është djali i Aliut r.a. dhe i Fatimes, vajzës së Pejgamberit s.a.s. Imam Husejni është vogëlushi për të cilin Pejgamberi s.a.s, edhe namazin kur e falte ja përshtatke rahatisë së tij dhe vëllait të tij Hasanit. Imam Husejni jetoi pesë vite me Pejgamberin s.a.s., deri sa vdiq Pejgamberi a.s dhe është përgëzuar si zotëri i xhenetlive. Sprova që ndodhi në kohën e imam e Husejnit, është sprovë që në fakt i përcjell myslimanët deri në kiamet. Sot përderisa jemi në muajin Muharrem të Hixhretit, nuk kam kapacitet profesional të gjykoj rrjedhën historike të Qerbelasë, madje për këtë ngjarje na mjafton fjala e të parëve tonë, që “përderisa shpatat tona kanë qenë larg kësaj ngjarje, të jenë larg edhe gjuhët tona”. Megjithatë këto ditë duke parë realitetin që po jetojmë si mysliman, Qerbelan e kemi një skenë të përsëritur herë pas here në mesin tonë. Qerbelaja nuk është fatkeqësisht vetëm një ngjarje e dimensionit historik por një përsëritje prej së cilës vuajnë myslimanët herë pas here. Ajo rikthehet te ne, përmes;

– paragjykimeve mes vete si zakonshmëri,
– përmes verbërimit pas pushtetit si qëllim,
– përmes përçarjeve si metodë dhe
– përmes dorës së fshehtë si rrezik permanent.

Paragjykimi është shndërruar në zakonshmëri madje për disa në virtyt e për disa aftësi. Paragjykimi ishte edhe pikënisja e luftës së Qerbelasë. Edhe sot grupet fetare përçahen për shkak të paragjykimit. Ideja e disa fetarëve që leximi i librave apo dëgjimi i ndonjë dijetari apo mendimtari nga grupi tjetër i fetarëve buron ekskluzivisht prej paragjykimit për grupin tjetër. Paragjykimi na ka sjellë në nivelin e ndarjes në “librat tonë e librat tuaja”, “dijetarët tonë e dijetarët tuaj”, “fetvat tona e fetvat e juaja”, “paria jonë e paria e juaj”, thjeshtë na ka sjellë te taborret “ne dhe ju”. Paragjykimi në fakt është sëmundje, por kjo zakonshmëria e ka kthyer në diçka normale, fatkeqësisht. Zoti i Madhërishëm na e trajton paragjykimin si asgjë karshi të vërtetës, ndërsa ne prapë veprojmë me paragjykimin sikurse e vërteta mos të ishte asgjë karshi paragjykimit. Zoti në Kur’an thotë ”ata nuk ndjekin tjetër vetëm paragjykime, e paragjykimi nuk është asgjë ndaj të vërtetës” ( En-Nexhm 28). Madje si rezultat i këtij paragjykimi, sunitët nuk mund ta shprehin as dashurinë që meriton imam Husejni, sepse ky paragjykim që tashmë na është bërë zakonshmëri mund të nxjerr pa pritur në brigjet e shiizmit nga ata që paragjykimin e kanë mbjell në shpirtrat dhe mendjet e tyre.

Pushteti është instrument i popullit përmes së cilit ai i realizon të drejtat e veta. Në kushte normale edhe politikanët pushtetin e shohin si mundësi për ti shërbyer popullit dhe vendit të vet. Rreziku shfaqet atëherë kur pushteti për politikanët shndërrohet në qëllim e për popullin në aparat të dhunës që shfrytëzohet kundër tij. Pushteti për politikanët e vendeve arabe u dëshmua që është qëllim, madje ekzistencë. Politikanët e tillë që me çdo kusht synuan ruajtjen e pushtetit u bënë shkaktar që popujt të çohen në revolucione. Ky ambient politiko-dikatorial e solli të ashtuquajturën “pranvera arabe” e që në fakt më shumë po i ngjet një dimri prej të cilit pranvera duket shumë më larg se sa që është menduar. Verbëria për ta ruajtur pushtetin përfundoi me qindra mijëra viktima në Libi, Egjipt e Siri. Sipas disa të dhënave, pushteti sirian për ta ruajtur çmendin për pushtet e pozitë sot i ka shndërruar 6 milion sirian në refugjatë, gati gjysmë milioni fëmijë, gra, pleq e të tjerë të vrarë. Çmendia për pushtet sot po shkakton Çerbela çdo ditë e çdo vit në mesin e myslimanëve.

Përçarja është një bela e kobshme dhe e përditshme që godet myslimanët. Fillimisht përçarja jo racionale mes mendimtarëve, grupeve xhematore, grupacioneve politike e deri mes shteteve. Përçarja përcjellë edhe çdo përpjekje të mundshme për ndryshim. Presidenti Mursi, u përmbys nga pushteti i zgjedhur në mënyrë demokratike, e i cili ishte shpresë dhe ndryshim për popullin egjiptian. E përmbysjen e tij përveç që e orkestruan shërbimet e ndryshme kontribut të madh në përmbysjen e tij dhanë edhe lëvizje fetare e politike në Egjipt. Fundja në një paralele krahasimore, si rezultat i përçarjes presidenti Mursi, ishte njëfarë përsëritje “husejnijane” dhe viktimë e mashtrimit. Turqisë, në mesin e rritjes dhe zhvillimit, i plas sherri i përçarjes brenda grupeve të veta. Përçarje që e dridhi në masë të madhe Turqinë e që sot në fakt Turqia prej një shteti aktiv dhe iniciativë-marrës është shndërruar po thuajse në një vend që merret me veten dhe stabilitetin e brendshëm. Përçarja mes myslimanëve, e ka lënë Sirinë në fatin e përgjakshmërisë, Egjiptin në duart e diktaturës, Libinë nën këmbët e zullumit e shumë vende të tjera pa shpresë për një të ardhme më të mirë. Kjo përçarje sot po e përsërit Qerbelanë në Halep të Sirisë, për të cilin dijetari Kardavi, haptasi deklarojë se “Nuk është e drejtë që bota islame të qëndrojë e ndarë ndërkohë që para vetes të ketë Halepin, qytetin i cili u shkatërrua në mënyrë shtazarake”.

Dora e zezë, që prej kohës së Pejgamberit s.a.s, udhëheqësve të drejtë e deri të Qerbelaja e më tutje ishte ajo që orkestroi shpesh herë fatin e zi të myslimanëve. Kjo dorë e zezë, le të jetë masoneria, injoranca jonë apo kush do tjetër nuk është edhe shumë e rëndësishme por që po na e sjell në çdo kohë nga një Qerbela është fakt i pa mohueshëm. Bosnja dhe Hercegovina një shtet me shumicë myslimane u ndërtua dhe u formua në atë formë që funksionaliteti i saj si shtet vihet në dyshim çdo ditë. Kosova, u rehatua, u ndërtua shtet por me plotë bomba të kurdisura që Serbia mund ti shkrep në çdo çast për ta shndërruar Kosovën në një vend të pa sigurt. Këto dy shtete në Ballkan me shumicën myslimane, u bënë shtete por nuk u bënë plotësisht funksionale, e kjo sigurisht që nuk është e rastësishme. Madje, funksionalitetin e tyre e vejnë në dyshim edhe vet mendimtarët perëndimor siç është Francis Fukuyama. Kjo dorë e zezë, Irakun synon ta ndaj edhe zyrtarisht në tre shtete. Sudani në fakt tashmë i ndarë në dy shtete. Sipas disa burimeve të një gjykate në Egjipt të publikuar në vitin 2012 edhe Egjipti është synuar të ndahet në tre pjesë. Ndarja në rast të përfundimit të luftës e pret edhe Sirinë. Palestina që nga mesi i shekullit të kaluar e okupuar, madje edhe ato pjesë që sot “administrohen” nga Arabët e që janë Bregu Perëndimore dhe Gaza, edhe këto të ndara dhe të pa pajtuara Ky rrezik, në fakt ky projekt planë nuk e kursen as Arabinë Saudite e as Turqinë, duke e synuar Kurdistanin. Çdo shtet me shumicë islame sot i ekspozohet rreziku me një “qerbela”.

Qerbelaja si një ditë e rëndë që goditi besimtarët fatkeqësisht është një ditë që shpesh herë i tregon dhëmbët e saj te umeti islam. Stuhia e rërës që goditi imam Husejnin para vrasjes, sot po godet umetin islam. Përderisa stuhia e rërës dhe breshëri i shtizave imam Husejnin e përcollën në Përjetësi, stuhia e sotshme dhe sprovat e mëdha që e kanë goditur umetin, duhet të jenë mundësi e ringritjes së tij intelektuale, metodike dhe funksionale.

Abdullah Klinaku