Qeveria flet pak për vizitën e Haradinajt në SHBA, s’tregon se cilët zyrtarë do t’i takojë

Qeveria e Kosovës ka dhënë detaje për vizitën e kryeministrit Haradinaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përmes një njoftimi për media, Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se qëllimi i vizitës së Haradinajt është pjesëmarrja në shënimin e 108 vjetorit të Kryengritjes së Malësisë, shkruan lajmi.net.

Teksa thonë se Haradinaj do të takohet edhe me zyrtarë amerikanë, Qeveria nuk e ka specifikuar se cilët do të jenë ata.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka udhëtuar sot për në Shtetet e Bashkuara të Amerikë me ftesë të Komunitetit Katolik Shqiptar Shën Pali në Detroit për të marrë pjesë në shënimin e 108-vjetorit të Kryengritjës së Malësisë,. Me këtë rast, kryeministri Haradinaj do të ketë takime edhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar katolik në Amerikë dhe autoritete të Detroitit, do të takoj edhe zyrtarë tjerë të ShBA-së”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

E krejt në fund të këtij njoftimi, Qeveria jep disa fakte rreth Kryengritjes së Malësisë.

“Kryengritja e Malësisë ishte vazhdimësi e kryengritjeve anti-osmane në Kosovë, 1908-1910 dhe i parapriu ngritjës së flamurit në Vlorë nga Ismail – Qemal Vlora si dhe shpalljës së mëvetësisë së shtetit shqiptar më 1912”, thuhet në njoftim.

Megjithatë, mbetet të shihet zyrtarët amerikanë do të pranojnë të takohen me Haradinajn pas qëndrimeve të këtij të fundit për taksën.

Më herët, kryeministrit i ishte refuzuar viza për në SHBA, ku ai planifikonte të merrte pjesë në ‘Lutjet e Mëngjesit’.