Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka konfirmuar se Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka dërguar ftesë për përfaqësimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën, transmeton Anadolu.
Në rrjetet sociale, Rama ka shkruar se është shumë i nderuar nga ftesa personale e presidentit Trump, për ta përfaqësuar Shqipërinë në Bordin e Paqes, sipas tij, një organizatë e re ndërkombëtare e ideuar prej tij.
Rama ka theksuar se Shqipëria ftohet si anëtar themelues, “duke ngjitur kështu ndërkombëtarisht një tjetër majë krejt të paimagjinueshme vetëm deri pak vite më parë”.
“Nuk mund të jem dot më krenar për Shqipërinë, për gjithçka kemi bërë në këto vite duke e kthyer në një Shqipëri tjetër, të dinjitetshme e të respektuar botërisht si asnjëherë, e padiskutim edhe për nivelin ku e kemi ngritur marrëdhënien e partneritetit tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u ftuar me një respekt e vlerësim krejt të posaçëm nga Presidenti Donald Trump, për t’u bërë pjesë e një bordi ndërkombëtar të krijuar e kryesuar prej atij vetë dhe për të punuar së bashku me të”, ka shkruar Rama.
Presidenti i SHBA-së, Trump, njoftoi të enjten formimin e Bordit të Paqes për Rripin e Gazës.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë njoftoi të premten anëtarët e komitetit të ri “teknokratik” që do të mbikëqyrë tranzicionin e pushtetit në Rripin e Gazës, si pjesë e planit me 20 pika të Trumpit për t’i dhënë fund luftës gjenocidale të Izraelit në këtë territor.








