Rama i kërkon Vuçiçit të dënojë deklaratën e ministrit të tij: Spektakël i neveritshëm

Kryeministri, Edi Rama ka reaguar për deklaratën e bërë dje nga ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, duke e quajtur “trutharë”.

Rama reagimin e ka bërë në Twitter, ku i kërkuar sqarim homologut të tij serb, Aleksandër Vuçiç mbi deklaratën që vinte pas marrëveshjeve Shqipëri-Kosovë, të arritura në mbledhjen e përbashkët në Tiranë.

Ishte pikërisht deklarata se, kryeministrit Rama se Porti i Durrësit do të jetë “de facto” porti i Kosovës që ngjalli mjaft reagime në Serbi, me të cilëve ishte dhe ministri i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin.

Ky i fundit në një komunikatë zyrtare për mediat shprehej se, një deklarim i tillë ishte dëshmi se Rama vijon të punojë për krijimin e “Shqipërisë së Madhe” dhe e cilësoi deklaratën një  provokim.

“Duke deklaruar se Porti i Durrësit do të jetë i Kosovës, Edi Rama vazhdon të punojë për krijimin e “Shqipërisë së Madhe””, shprehej Vulin duke i bërë thirrje BE-së që të reagonte pasi një gjë e tillë është kërcënim për paqen.

““Shqipëria e Madhe” do të thotë një katastrofë e madhe, pasi shpërbën dhe ndan shtete dhe kombe në Ballkan. Vetëm serbët e bashkuar mund ta ndalon “Shqipërinë e Madhe” dhe sa më shpejt që të bashkohemi instituticionalisht, aq më shpejt do të mbërrijë paqja në Ballkan”, përfundon reagimi i Vulin.

Ky qëndrim ka bërë që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama të reagojë ashpër ndaj ministrit serb dhe t’i kërkojë ‘llogari’ homologut të tij serb, Vuçiç.

“Vuçiç është e vërtetë kjo apo është një meme (shaka) ku tallen me trutharët dhe gojët e liga që vazhdojnë ta mbajnë të gjithë rajonin ton në errësirë për shekuj? Shpresoj shumë që të jetë një meme, në të kundërt kjo do të ishte një spektakël i neveritshëm i një ideje të mjerë që ju duhet ta dënoni pa më të voglin dyshim”, shprehet Rama.