Rama pret liderët e BE-së e të rajonit në nisje të Samitit të Procesit të Berlinit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është duke i pritur liderët e Bashkimit Evropian dhe ata të vendeve të rajonit, në nisje të Samitit të Procesit të Berlinit.

“Bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’ – Mirëseardhja e liderëve të rajonit dhe udhëheqësve të BE-së, në nisje të samitit historik të Procesit të Berlinit”, ka shkruar Rama në Facebook.

Pritja e liderëve të BE-së bëhet nga ora 11:00 dhe më pas hapja zyrtare e samitit do të bëhet me fjalimet që do të mbajnë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Samiti i liderëve të Procesit të Berlinit për herë të parë do të mbahet jashtë kufijve të Bashkimit Evropian. Në Samit do të marrin pjesë edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron.

Procesi i Berlinit është një nismë e ish-kancelares Angela Merkel të Gjermanisë në vitin 2014. Nëpërmejt tij synohet të ndihmohet bë zhvillimin ekonomik të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në përafrimin e tyre me Bashkimin Evropian.