Rama pret ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite: Komitet i përbashkët për rritjen e bashkëpunimit ekonomik

Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Princ Faisal bin Farhan Al-Saud mbajtën një konferencë të përbashkët në Shqipëri.

Gjatë takimit Rama falënderoi Arabinë Saudite për mbështetjen ndërsa u shpreh se ky takim do të ishte i pari nga një sërë takimesh bilaterale.

Kryeministri përmendi rritjen e turistëve për shkak të bashkëpunimit midis dy shteteve dhe theksoi se ky bashkëpunim do të vijojë edhe në sfera të tjera.

“Ramë dakord për të mbledhur sa më parë komitetin e përbashkët, pikërisht për të adresuar prioritet në funksion të thellimit të bashkëpunimit ekonomik,” – deklaroi Rama.

Njohja e Kosovës ishte një temë e rëndësishme që kryeministri përmendi gjatë konferencës. Ai sqaroi se Arabia Saudite e ka njohur Kosovën dhe po bashkëpunojnë për të rritur ndjeshmërinë dhe qartësinë e atyre vendeve të Organizatës së Bashkëpunimit Islam dhe të Ligës Arabe që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Deri më tani, sipas tij, Arabia Saudite ka dhënë kontribut në çdo institucion ndërkombëtar ku Kosova ka kandiduar të njihet.

Rama tha se iniciativa e Arabisë Saudite për të rritur përmasën e gjelbër në Lindjen e Mesme do të jetë edhe në rang global. Ai shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen në nismën ku do të mbillen 50 miliardë pemë.