Kanë mbetur vetëm edhe tri ditë deri në përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës, ndërsa partitë politike parlamentare po vazhdojnë përpjekjet e tyre për të gjetur një marrëveshje lidhur me këtë çështje.
Ndërkohë, zhvillimet politike të ditës së djeshme u përqendruan në takimet ndërmjet liderëve të partive, ndonëse, përpjekjet e tyre nuk sollën ende një dakordim për presidentin.
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti të shtunën zhvilloi takime të ndara me liderët e dy partive më të mëdha opozitare, Bedri Hamzën nga Partia Demokratike e Kosovës Lumir Abdixhikun e prej Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Krahas çështjes së presidentit, PDK-ja po insiston që deri më 6 tetor të miratohet në dy leximet në Kuvendin e Kosovës edhe Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Specialen.
Sipas afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, procesi për zgjedhjen e presidentit të ri duhet të përfundojë deri më 6 tetor.
Kosova, në dy vitet e fundit në Kosovë ka mbajtur tri palë zgjedhje. Të tria këto procese kanë qenë zgjedhje parlamentare për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, nuk rezultuan në formimin e një qeverie, ndërsa zgjedhjet e dyta, më 28 dhjetor 2025, përfundoi në një bllokim institucional mbi zgjedhjen e një presidenti dhe në fund në shpërbërjen e parlamentit në prill. Kështu si rrjedhojë e kësaj, zgjedhjet e treta u mbajtën edhe më 7 qershor 2026.
Ndërkohë, në një aktgjykim të 23 shtatorit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës sqaroi se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht, nga dita kur u konstituua Kuvendi, dhe përfundon më 6 tetor.
Vendi rrezikon sërish të shkoj në zgjedhje deri më 15 nëntor nëse nuk zgjidhet presidenti deri më 6 tetor.







