Ramazani, letër e hapur

Prof. Adnan Simnica

Islami është paqe, prandaj urdhëron dhe fton në paqe, mirëqenie dhe prosperitet të gjithëmbarshëm. Ai promovon dashuri, respekt dhe tolerancë ndër-njerëzore dhe ndër-fetare. Ai është Shpallje prej Zotit të botëve, Allahut të Madhëruar, sepse nuk ka zot tjetër përveç Tij. Islami ndalon dhunën, dukuritë negative, përçarjen, provokimin, blasfeminë, nxitjen e urretjes dhe mosdurimin njerëzor, racor, nacional, fetar etj.

Madje, sipas Islamit, nxitja e urrejtjes dhe dhunës është edhe më e keqe sesa vetë dhuna, meqë e para në situata të ndryshme fatkeqësisht shkakton dhe prodhon të dytën, ndonëse Islami i ndalon që të dyja. Prandaj askush nuk ka të drejtë ta keqpërdorë lirinë e shprehjes e të ofendojë dhe të nxisë urrejtje e mosdurim, çfarëdo qofshin ato.

Ramazani meqë është dhuratë prej Krijuesit Fuqiplotë, është i stërmbushur me paqe, dashuri, respekt, bujari, bamirësi, modesti e solidaritet njerëzor, prandaj ata që për çfarëdo shkaku mundohen ta prishin frymën dhe mesazhin e tij, gabojnë rëndë. Frymëzimi i tij është hyjnor, prandaj nuk mposhtet asnjëherë pavarësisht tentimeve të ndryshme.

Tallja dhe përqeshja me Islamin, apo me çfarëdo feje qoftë nuk konsiderohet liri e shprehjes, meqë prek thellë ndjenjat e besimtarëve përkatës, aq më tepër kur bëhet fjalë për Islamin, i cili është Shpallje e vetme hyjnore pa devijime dhe shtrembërime njerëzore. Atë nuk mund ta cënojë kurrë askush, prandaj është i shenjtë bashkë edhe me parimet e tij, siç është edhe Ramazani e ritualet e tij.

Islami na mëson ta duam atdheun dhe të punojmë vazhdimisht për të, meqë Allahu i Madhëruar na krijoi në këtë nënqiell dhe na dhuroi gjuhën tonë, prandaj ne me krenari i ruajmë vlerat e mirëfillta familjare dhe kombëtare. Islamin e zgjodhën vetë të parët tanë të mençur, dhe ne e ruajmë atë me krenari në zemrat tona, meqë është bindje jona dhe pjesë thelbësore e identitetit tonë kombëtar.

Islamofobia është armik i vlerave tona fetare dhe kombëtare, prandaj ato medie misionare dhe gjithologë të ndryshëm që përpiqen t’i dëmtojnë ato, le ta dinë se do të dështojnë fuqishëm, meqë populli ynë di t’i ruajë ato pavarësisht tentimeve dashakeqe të disave.

Ai që ia do të mirën këtij populli nuk bëhet pjesë e misioneve dhe qarqeve të turbullta, të cilat synojnë vetëm nxitjen e urrejtjes dhe përçarjen e gjithëmbarshme.

Muaji kohor i Ramazanit ecën, e bashkë me të edhe lojërat eventuale kundër tij, por, Ramazani dhe frymëzimi i tij mbeten fuqishëm në zemrat e besimtarëve, meqë ai është i stërmbushur me reflektim njerëzor, thirrje paqësore, modesti e urtësi dhe, mirëkuptim vetëpërmbajtës. Ai vjen përsëri vitin e ardhshëm, ngase është hyjnor, prandaj bëjmë thirrje për ta mirëpritur atë, por pa frikë e paranoja, sepse ai është i tëri mëshirë prej Krijuesit Fuqiplotë.

Ramazanin nuk mund ta ndalë askush kurrë, sepse është njëmend i shenjtë, meqë është Shpallje prej Atij që na jep jetën e riskun, prandaj ai mposhtë çdo provokim e spekulim ndaj misionit të tij të shenjtë.

Bëjmë thirrje që kush nuk agjëroi sivjet, le të agjërojë vitin e ardhshëm, meqë vetëm atëherë i kupton dhe përjeton secili mirësitë psiko-shpirtërore dhe fizike të tij. Nëse dikush nuk agjëron, ju lutem, bile së paku t’i ruajë dhe respektojë ndjenjat e besimtarëve agjërues, e mos të bëhet askush telall i misioneve qëllimkëqija.

Askush mos të lejojë të bie pre e askujt, aq më tepër pre e çfarëdo provokimi dhe, i shtyrë nga ato të bëjë edhe veprime emocionale e të ndaluara.

Ramazani është plot mëshirë, meqë në të u zbrit udhëzuesi e udhërrëfyesi për njerëzit, Kurani, prandaj Zoti i Madhëruar dëshmoi:
“Muaji i Ramazanit është ai, që ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me argumente të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja)” (Kuran, El Bekare: 185)

Zot, udhëzoji ata që kanë nevojë dhe ruaje popullin tonë nga çdo e keqe!
AMIN!

Nga: Adnan Simnica