Ramazani muaj i familjës

Dr. Bashkim Aliu

Bashkim Aliu

Muaji i bekuar Ramazan, është një thesar i çmueshëm që e pasuron dhe stolis jetën e besimtarit me margaritarë të lloj-llojshëm dhe përfshinë një gamë të gjërë dimenzionesh në të cilat është evident reflektimi i vlerave të këtij muaji të bekuar. Në këtë thjerrëz duhen shikuar dhe analizuar përshkrimet e muajit të Ramazanit në Kur’an dhe Sunet, gjegjësisht nga kjo perspektivë duhen parë ajetet dhe hadithet e të dërguarit të Allahut që flasin për këtë muaj të bekuar, e që u përgjasojnë buqetave me lule të ndryshme të cilat e kanë të përbashkët aromën e këndëshme.
Po ashtu, në këtë kontekst duhet vënë edhe interesimin e madh të gjeneratave të dalluara të Islamit, shokëve të të dërguarit të Allahut dhe pasuesve të tyre, të cilët mezi se prisnin të vijë muaji Ramazan dhe bënin dua-lutje që Allahu t’ua mundësojë ta arrinë dhe ta kalojnë me adhurim, ashtu si i ka hije besimtarit të vërtetë.
Muaji Ramazan, krahas theksimit të adhurimit të agjërimit dhe vlerës fetare të tij, si dhe namazit që po ashtu zen vend të rëndësishëm gjatë këtij muaji – fjala është për namazin e teravive, ngase namazet obligative janë të detyrueshme për çdo ditë – rrezaton fuqishëm edhe në planin familjar, gjegjësisht ven tulla të forta në struktuimin e familjes së shëndoshë.
Do të ishte e patolerueshme të thonim se ne do t’i elaborojmë të gjitha detajet e reflektimit të këtij muaji të rëndësishëm në planin familjar, por themi se do të mundohemi të japim një pasqyrë të shkurtër të ndikimit të Ramazanit në planin familjar, duke e justifikuar në këtë mënyrë moton “Ramazani, muaj i familjes”.
Rrezatimi i vlerave të këtij muaji të bekuar në planin familjar, përfshinë disa rrafshe, e që ne me këtë rast do të veçonim si vijon:

RRAFSHI I PASTRIMIT SHPIRTËROR

Muaji i bekuar Ramazan dhe adhurimi me të cilin simbolizohet ai, agjërimi, kanë ndikim të drejtpërdrejtë në pastrimin shpirtëror të individit, e si rezultat i kësaj edhe të familjes e cila përbëhet nga individët. Allahu i Lartmadhërishëm ka thënë:<< O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm>> (El Bekare:183).
Ajeti në fjalë qartë tregon se agjërimi mëton të formojë një personalitet të kompletuar besimtar, musliman që do ta pastrojë zemrën e tij nga të ligat e zemrës, e po ashtu edhe me vepra do të jetë zbatues i denjë i urdhrave të Allahut. Individët e këtillë, me shpirt e zemër të pastër nga të ligat, do të jenë shembull të familjes së shëndoshë e të respektuar në shoqëri.
Familja muslimane, përmes agjërimit dhe namazit obligativ, namazit shtesë të teravive, si dhe shtimit të veprave tjera të mira që preferohen në këtë muaj të bekuar, si që janë: Leximi i Kur’anit, Itikafi, lëmosha etj, pastrohet shpirtërisht dhe ngritet në piedestale më të larta shpirtërore, që në fakt është synim i çdo besimtari si individ dhe shoqëri.
I dërguari i Allahut s.a.v.s. ka dhënë mesazh të fuqishëm për ndikimin e Ramazanit në pastrimin shpirtëror duke e lidhur adhurimin e agjërimit në Ramazan pikërisht me këtë objektiv madhor. I dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: ”Kush nuk largohet nga fjalët e liga dhe punët e ndyra, Zoti nuk ka nevojë që ai person ta lër ushqimin dhe pijen (të agjëroj)” (Hadithin e transmeton Buhariu).
Pra, ai person te i cili nuk ka vend për këtë funksion të agjërimit, ka dështuar në plotësimin e denjë të këtij obligimi ndaj Allahut të Madhërishëm.
Realisht, besimtari në muajin Ramazan, nuk agjëron vetëm nga haja dhe pija, por edhe nga çdo gjë tjetër që nuk përputhet me vlerat Islame, e që i këtillë duhet të jetë gjatë gjithë jetës së vet. Në fakt, besimtarit në Ramazan, agjëron me gjymtyrët e tij nga bërja e harameve; agjëron me sytë e tij duke mos shikuar në haram; agjëron me veshët e tij duke mos dëgjuar haram; agjëron me gjuhë duke mos folur gjëra të ndaluara, etj., e me këtë ai e pastron shpirtin dhe ngritet më lartë. Po ashtu, agjëron me zemër dhe me mendje duke mos përpunuar në mend dhe as vulosur në zemër, asnjë mendim të keq për vëllezërit e tij.
Kështu, Ramazani përmes pastrimit shpirtëror të individëve, mëton të hudhë dritë fuqishëm në ngritjen shpirtërore të mbarë familjes.

NË RRAFSHIN ARSIMOR

Një rrafsh tjetër i rëndësishëm në të cilin Ramazani reflekton dukshëm, është rrafshi i arsimit dhe ngritjes fetare, gjegjësisht pasurimit të njeriut me njohuri fetare.
Në Ramazan, ma tepër se kurdoherë tjetër, besimtari meson për fenë, dhe në veçanti brezat e rinj, e kanë rastin që të dëgjojnë ma tepër për çështjet fetare. Në këtë mënyrë, Ramazani luan rol të rëndësishëm në ngritjen intelektuale të familjes muslimane dhe hapjen e horizonteve të reja të dijes fetare në shoqëri në përgjithësi.
Ramazani ndikon në shumë mënyra në ngritjen e vetëdijes fetare të familjes, e ne me këtë rast do të përmendim si vijon:
-Këshillat prindërore: Është evidente në familjen muslimane se kur vjen muaji Ramazan, shtohen edhe këshillat fetare të më të vjetërve karshi më të rinjve. Kështu, në muajin Ramazan e dëgjon prindin apo dikë tjetër më të vjetër në familje duke u thënë më të rinjve: ”Kjo bën”, e “kjo nuk bën”, “Jij i kujdesshëm”, “Mate veten se tash është Ramazan”, etj. Në këtë mënyrë, në Ramazan anëtarët a familjes kanë mundësi ma tepër të dëgjojnë nga prindërit e tyre për atë se çka është e lejuar e çka është e ndaluar në fe, që ndoshta jashtë Ramazanit ose nuk është rast, ose pak dëgjohet diçka e tillë. Kjo, edhe pse në familjen muslimane, çdo herë duhet të flitet dhe të këshillohet për Islam.
Me këtë rast, më duhet të nënvizoj se ngritja e vetëdijes dhe dijes fetare në familje, në kohën tone nuk bëhet vetëm nga më të vjetërit dhe prindërit, por si rezultat i zhvillimit të rrjetit të internetit dhe literatures islame, në shumë raste vërejmë që më i riu, në fakt fëmiju, e këshillon për Islam dhe i tregon se çka bën e çka nuk bën, nga aspekti fetar, prindit dhe më të vjetrit, ngase si rezultat i leximit dhe komunikimit, brezat e rij janë më të ngritur me dije fetare se sa brezat e vjetër të cilët nuk i kanë patur mundësitë e sotme.
-Ligjëratat ditore: Është e njohur se në xhamitë tona në muajin e bekuar të Ramazanit mbahen ligjërata ditore, bile në disa raste edhe dy apo ma tepër ligjërata në ditë, nga ana e hoxhallarëve. Po ashtu, interesimi i besimtarëve për ligjëratat në Ramazan është ma i dukshëm se jashtë tij. Pjesmarrja në ligjëratat e Ramazanit dallon me atë se nuk është vetëm për të moshuarit, por edhe për të rinjtë dhe fëmijët, si dhe për gratë. Kështu, në Ramazan në xhami për ligjëratë e kemi komplet familjen. Në këtë mënyrë, duke dëgjuar ligjërata e tërë familja fiton njohuri të reja apo i forcon e zgjeron ato njohuri që i ka për Islamin, e në këtë mënyrë Ramazani qartë reflekton edhe në arsimimin dhe ngritjen fetare të familjes.
-Mediumet: Si mediumet elektronike, po ashtu edhe ato të shkruara, në muajin e Ramazanit i kushtojnë hapësirë më të madhe elementit fetar. Në faqet dhe edicionet e tyre janë prezente ma tepër tema fetare. Në këtë mënyrë, Ramazani edhe përmes mediumeve ndikon në pasurimin e individit me njohuri fetare, e si rezultat i kësaj edhe të familjes.

NË RRAFSHIN EDUKATIV

Ajetet dhe hadithet të cilat flasin për agjërimin, me theks të veçantë ajeti i përmendur më lartë i sures El Bekare, qartë e shquajnë aspektin edukativ të agjërimit, e si rezultat i kësaj edhe të muajit Ramazan, në të cilin realizohet agjërimi.
Agjërimi e edukon individin që të jetë i matur, durimtar, tolerant, human, bamirës, me karakter të fortë dhe senzibil. Në këtë drejtim, i dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:”Agjërimi nuk është abstenim nga ushqimi dhe pija, por agjërimi (i vërtetë) është largim nga fjalët e kota dhe fjalët e ndyta. Nëse ndonjëri të fyen apo sillet me pakuptimësi, ti thuaj:”Unë jam agjërues, unë jam agjërues” (Hadithi është autentik e kanë transmetuar Hakimi në Mustedrek dhe Bejhekiju në Sunen ). Edukata e këtillë që agjërimi e mbjell te njeriu, ndikon në konsolidimin e familjes dhe shoqërisë, edukon breza të rinj të cilët do të jenë të frymëzuar nga mësimet madhore islame dhe do t’i bën që të jenë shembull praktik i jetësimit të mësimeve islame. Edukata e këtillë e lartë në trajtimin e njerëzve dhe reagim të matur ndaj gjërave të pahijshme që bëhen ndaj nesh, në formën më të shkëlqyeshme i ulë tensionet në shoqëri, i forcon lidhjet mes njerëzve, bën që të jemi më vigjilent, jep kohë për t’i rishikuar veprimet dhe etablon qetësi, paqë dhe siguri në familje e në shoqëri. Në këtë formë, me vepra flitet se si duhet të sillet një besimtar i vërtetë.
Ramazani e edukon individin dhe familjen që të jenë llogaritës të veprimeve, planifikues, kursyes dhe i aftëson që të ambientohen me rrethanat e ndryshme në jetë.
Drejtpërdrejt në raportet ndërfamiljare, Ramazani e bën më të butë burrin, më humane nënën, më mirënjohës fëmijun.

NË RRAFSHIN ORGANIZATIV

Ramazani reflekton pozitivisht edhe një rrafsh mjaft të rëndësishëm shoqëror, atë të organizimit. Me fjalë tjera, Ramazani e meson familjen muslimane të jetë e organizuar, ngase në Ramazan të gjithë anëtarët e familjes, kudo që të jenë, në kohën e iftarit vrapojnë të jenë rreth sofrës së iftarit. Ata, doemos për këtë gjë ta organizojnë kohën e vet dhe të bëjnë një orar të punës së vet e rangim të detyrave prioritare që duhet t’i kryejnë deri në atë kohë. Duke e pritur iftarin së bashku rreth sofrës së iftarit, mësojnë si të veprojnë dhe të presin për rezultatin final, të ndjekin rregulla, të kenë bindje se së bashku mund të ecin drejt realizimit të qëllimeve madhore dhe të jenë më efektiv në realizimin e tyre, të konsultohen për punët e përbashkëta dhe të respektojnë kohë dhe termine.
Ata duhet të planifikojnë edhe për kohën e syfirit, që don të thotë se duhet të jenë të kujdesshëm për qëndrimin zgjuar në orët e natës.
Marrë parasysh këto elemente që janë vetëm disa të mundëshme, vijmë në përfundim se Ramazani është muaj i organizimit të familjes.

NË RRAFSHIN HUMAN

Muaji i bekuar Ramazan, e meson individin dhe familjen që të jenë më bamirës dhe human ndaj të tjerëve. Me këtë rast, do të përmendim tre elemente të rëndësishme të këtij muaji që ndikojnë qartë në humanizimin e familjes:
-Agjërimi nga haja dhe pija: Përmes agjërimit, gjegjësisht urisë që e ndjen besimtari në muajin e Ramazanit, ai vetë si individ dhe e gjithë familja, më së miri e kuptojnë se çdo të thotë skamja, varfëria dhe uria, e me këtë bëhen më solidar dhe bamirës ndaj tjerëve, gjegjësisht ndaj atyre të cilët kanë nevoja të këtij lloji.
Populli thotë:”I ngopuri nuk e din të urriturin”, për këtë, në muajin Ramazan, familja muslimane e përjeton urine dhe e kupton mundimin që sjell uria. Së këndejmi, ky element ndikon qartë në humanizimin e familjes dhe çlirimin e saj prej prangave të grykësisë, kopracisë e injorimit të nevojtarit.
-Sadekatu-l-fitri: Është një lëmoshë e veçantë që çdo besimtar i cili ka mundësi materiale, e jep në muajin e Ramazanit. Kjo lëmoshë dedikohet për skamnorët dhe ka për qëllim që ta fut gëzimin në zemrat e tyre dhe të familjeve të tyre në ditën e festës së Fitrit (Bajramit të Fitrit). Pra, humaniteti që mbjell kjo dispozitë islame e lidhur për Ramazanin, është i qartë. Familja muslimane nuk ndjehet e qetë dhe nuk ka gëzim të plotë në ditën e festës, nëse edhe familjet tjera muslimane nuk e kanë një atmosferë të tillë nëpër shtëpitë e tyre, për këtë edhe solidarizohet me ta, në emër të obligimit fetar, përmes sadekatu-l-fitrit.
-Nxitja për bamirësi të natyrës materiale: Sadekatu-l-fitri nuk është lëmosha dhe ndihma e vetme materiale që ofrohet në muajin e bekuar Ramazan, por i dërguari i Allahut s.a.v.s. na ka mësuar që të jemi sa ma bujar në muajin Ramazan dhe sa ma tepër të ndihmojmë materialisht vëllezërit tanë, ngase edhe ndihma materiale në muajin Ramazan, ka vlerë të veçantë, gjegjësisht është më e preferuar se ajo që jepet jashta muajit Ramazan, si rezultat i shtimit të shpërblimeve për veprat e mira në këtë muaj.
Në këtë kontekst, është praktikë te muslimanët që obligimin e zeqatit ta kryejnë në Ramazan, që është obligim fetar i natyrës materiale, dhe i zoti i shtëpisë për këtë duhet t’i këshillojë dhe porosis të gjithë anëtarët e familjes që ta kryejnë këtë obligim fetar në pasuritë e tyre.
Nga ana tjetër, kemi provë të qartë se vetë i dërguari i Allahut s.a.v.s. ka qenë më bujar në muajin Ramazan. Kështu, është transmetuar prej Ibn Abasit se ka thënë:”I dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte njeriu më bujar, edhe më bujar ishte në Ramazan, ngase Xhibrili alejhisselam i vinte të dërguarit të Allahut s.a.v.s., për çdo natë gjatë Ramazanit dhe ia dëgjonte Kur’anin, deri në mbarim të tij (të muajit të Ramazan). E kur i vinte Xhibrili, i dërguari i Allahut ishte më bujar për të mirën edhe se era që sjell shi” (Hadithin, e kanë transmetuar Buhariu dhe Muslimi ).
Këto elemente, edhe pse nuk janë të fundit, janë të mjaftueshme që të tregojnë për ndikimin e Ramazanit në formimin e individit dhe familjes humane.

NË RRAFSHIN E AFRIMIT FAMILJAR

Është e vërtetë e pamohueshme se Ramazani rrezaton fuqishëm në rrafshin e afrimit familjar, edhe atë si në aspektin e familjes së ngushtë, po ashtu edhe në atë të familjes së gjërë.
Në kohën moderne, kur çdo gjë është dinamike dhe e ngutshme, gjegjësisht gara për jetën ka kapluar në çdo anë dhe ka ndikuar që të largohen edhe anëtarët më të afërt të familjes, ashtu që terminet e ndyshme i kanë bërë që shumë rrallë të jenë së bashku në familje, Ramazani vin si promotor i afrimit familjar. Kjo, ngase edhe biznesmenët më të mëdhej muslimanë, në muajin Ramazan bëjnë çmos që bile disa iftare ti bëjnë së bashku me familjen. E mos bëjmë fjalë më për njerëzit e kalibrit më të ulët në fushën e biznesit.
Në këtë mënyrë, Ramazani e rikthen kompaktësinë e gjirit familjar që modernizmi është duke shkatërruar egërsisht, e afron prindin me fëmijën dhe me nipat, i bën ta ndjejnë afërsinë e njëri tjetrit dhe ta shijojnë kënaqësinë e të qenit së bashku, që edhe vetë ata e pranojnë se jeta e sotme ua ka rrëmbyer pamëshirshëm. Përmes iftarit e syfirit, Ramazani realizon afrimin e familjes dhe kjo është një nga funksionet më të theksuara shoqërore të Ramazanit, e që vërtet meriton të quhet “Muaj i familjes”.
Në planin e familjes më të gjërë, po ashtu, Ramazani ngjall shpresë dhe gëzim, ngase vazhdon praktika e vizitave familjare në muajin Ramazan. Nëse gjatë muajve tjerë të vitit nuk është zakon të shkohet te njëri-tjetri, që nuk duhet të jetë në mesin e muslimanëve, në muajin Ramazan, është zakon që familja më e gjërë, kushërinjtë e shokët, ta thirrin njëri-tjetrin në iftare.
Në këtë mënyrë Ramazani e ujit përsëri trungun e familjes dhe farefisnisë, që i dërguari i Allahut aq shumë na ka porositur që mos e harrojmë farefisin dhe familjen dhe mos i këpusim lidhjet familjare.
Deri në kohën kur i shkruajmë këto rreshta, Ramazani ndikon në afrimin familjar edhe duke i rrënuar kufijtë dhe afruar distancat mes shteteve. Kështu, sot e kësaj dite dëgjon vëllezërit tanë në gurbet, normalisht ata që kanë mundësi të bëjnë diçka të tillë, duke thënë se pushimin do ta marr në Ramazan, që ta bëj një Ramazan në vendlindje, pranë të afërmve dhe miqve.
Ramazani, e afron njeriun edhe me vendlindjen dhe familjen, tejkalon kufijtë dhe distancat që janë elemente ndarëse, ka shumë domethënie edhe për lidhjen e njeriut me atdheun dhe tokën në të cilën ka lindur.

Lutja jonë e fundit është:I gjithë falënderimi i sinqertë i takon vetëm Allahut-Zotit të botëve.