Regjimi i Asadit ka shkelur armëpushimin qindra herë

ANKARA (AA) – Armëpushimi që u arrit javën e kaluar në Siri nën kryesimin e SHBA-ve dhe Rusisë dhe i cili parasheh respektimin edhe nga ana e regjimit, është shkelur 254 herë në 34 rajone nga ana e qeverisë së Bashar al Asadit, raporton Anadolu Agency (AA).

Organizata që përfshin të gjithë opozitarët sirianë, Koalicioni Kombëtar i Forcave Opozitare dhe Revolucionare në Siri (KKFORS), ka publikuar një deklaratë me shkrim në lidhje me shkeljet e armëpushimit i cili filloi mbrëmjen e së dielës së kaluar pas negociatave mes SHBA-ve dhe Rusisë.

Gjatë armëpushimit për të cilin edhe regjimi i Asadit kishte shpallur se do ta respektonte me ndërmjetësimin e Rusisë, sipas deklaratës së KKFORS, brenda një jave regjimi ka ndërmarrë qindra sulme, shumica e të cilave kanë shënjestruar popullatën civile.

Sulmet në fjalë janë intensifikuar në 34 rajone në qytetet Halep, Idlib, Humus, Damask, Dera dhe Kunajtra.

Që nga e hëna e kaluar e deri më tani, regjimi ka realizuar 254 sulme duke e shkelur kështu armëpushimin, ndërkohë që gjatë të njëjtave ai ka përdorur avionë luftarakë, njësite artilerike dhe helikopterë për hedhjen e bombave fuçi.

Sipas të dhënave që gazetari i AA-së i ka siguruar nga ekipet e mbrojtjes civile, gjatë qindra shkeljeve që i ka bërë regjimi, kanë humbur jetën 19 persona, prej të cilëve dhjetë në Dera, nga katër në Humus dhe Idlib dhe një në Halep. Po ashtu, në vendbanime ka pasur edhe të plagosur, ndërkohë që në këto vendbanime ende vazhdon pritja e popullatës për ndihma humanitare.

Megjithatë, regjimi i Asadit vazhdon ta pengojë qasjen e ndihmave të nevojshme humanitare për civilët e prekur nga luftimet, edhe pse një gjë e tillë parashihej në kuadër të armëpushimit të shpallur nga SHBA-të dhe Rusia.

Kamionët me ndihma humanitare të cilat kanë dalur nga pika kufitare Cilvezgozu në Hatay për të shkuar në Siri, po presin prej pesë ditësh në pikën kufitare në anën e Sirisë, Bab ul-Hava. Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara njoftuan se regjimi i Asadit nuk ka dhënë garancitë e nevojshme, madje edhe në lidhje me sigurinë e jetës.

Nga ana tjetër, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, ditën e djeshme ia la përgjegjësinë regjimit të Asadit për mosrespektimin e armëpushimit në mënyrë efikase dhe mosqasjen e ndihmave humanitare në vendin e duhur. Ai po ashtu e kritikoi edhe Rusinë që “nuk ka ushtruar presion të mjaftueshëm” ndaj regjimit për respektimin e armëpushimit.