Regjimi i Asadit sulme ajrore në Idlib, 12 të vdekur

Dymbëdhjetë civilë kanë humbur jetën si rezultat i sulmeve ajrore të regjimit të Bashar Asadit në zonën e deeskalimit të Idlibit, ndërkohë që 30 të tjerë kanë ngelur të plagosur, raporton Anadolu Agemcy (AA).

“Regjimi i Asadit, nga baza Shajrat në Homs, kreu tri sulme ajrore në fshatin Haxh në zonën rurale në jug të Idlibit, si pasojë e të cilëve 12 civilë humbën jetën, kurse 30 u plagosën”, tha për AA Mustafa Haxh Jusuf, drejtori i Mbrojtjes Civile (Helmetat e Bardha) në Idlib.

Ekipet e Mbrojtjes Civile thonë se sulmet intensive janë duke vazhduar dhe se në vendin e ngjarjes janë duke vijuar aktivitetet e kërkim-shpëtimit.

Zona e deeskalimit në Idlib prej dy muajsh përballet me sulme intensive ajrore nga regjimi dhe kohë pas kohe nga Rusia.

Idlibi, i cili gjendet në veri të Sirisë në afërsi të kufirit me Turqinë, ishte shpallur “zonë e deeskalimit” nga ana e Turqisë, Rusisë dhe Iranit në mbledhjen e mbajtur më 4-5 maj të vitit 2017 në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana.